Prishtinë, 7 mars – Dy personazhe duket sikur imitojnë njëri-tjetrin. Janë përballë dhe sillen njëjtë. Cakërrojnë gotat dhe buzëqeshin. Por në një moment lidhen me litar mes vete dhe mundohen edhe ta rrëzojnë njëri-tjetrin. Videoinstalacioni i titulluar “Ball’kan” paraqet dy politikanë që bartin kravata pa këmishë. Janë si dy aktorë të trajnuar mirë për rolin që kanë, por janë të tjerë njerëz në realitet.
Kjo është një nga veprat e ekspozitës personale të Majlinda Kelmendit “A është e shkuara ëndërr?”, që është hapur të martën mbrëma në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Simboli i njohur i TVSh-së kur ndalej së transmetuari programi është pjesë e ekspozitës. Shërben si diçka e shkuar, kur kishte mungesë informacionesh dhe përballet me informacione të shumta.
Kelmendi ka bërë një hulumtim artistik midis të shkuarës, të ardhmes e ëndrrave. Krejt veprat, përfshirë pikturat, fotografitë e instalacioni sillen në këtë trekëndësh. Interpretimet mund të jenë të shumta. Është si një mozaik që nëse ia heq ndonjë pjesë, nuk vërehet fort.
E kuqja vjen si ngjyrë tek disa punime. Ajo lidhet me kujtimet për të kaluarën. Por shërben edhe si një shenjë ndalese.
Në fjalën e tij, kuratori Edison Çeraj ka thënë se në konceptin kuratorial kanë shtruar një dilemë për të cilën secili ka një përgjigje. Ka thënë se personalisht është për një qasje kuratoriale që ka parasysh atë që thotë e ndien artisti.
“Në njëfarë mënyre, Majlinda trajton dy kohë”, ka thënë ai. Sipas tij, nga kjo mund të thuhet se nëse ne nuk dimë për të shkuarën, nuk dimë se as nga po shkojmë.
Kelmendi është kthyer me ekspozitë në Prishtinë pas asaj që ka hapur në janar në Romë. Ajo në Itali ishte prezantuar me ekspozitën “Coesistenca”.
(Gjerësisht, sot në "KOhën Ditore")