Shtojca për Kulturë

“Vagullnaja vizuale” – pikëpyetje për paqartësi e paqëndrueshmëri

Vagullnaja vizuale

Pamja që ofrohet përmes pikturave, skulpturave, fotografive e instalacioneve, është e paqëndrueshme dhe e lëvizshme, me kufij të paqartë. Edhe konsiderohet si ftesë për ta përjetuar paqartësinë jo si pengesë, por si element thelbësor të shprehjes

Përpjekjen për të krijuar një gjendje pamore ku kuptimi nuk shfaqet menjëherë, “Vagullnaja vizuale” e arrin menjëhershëm. Ekspozita eksploron paqartësinë përmes peizazheve të ndërmjetësuara, hapësirave të simuluara dhe versioneve të përmbysura të vendeve historike, duke sfiduar shikuesin të reflektojë mbi vetë natyrën e përfaqësimit. Siç edhe e shpjegon titulli i ekspozitës nëntë artistë nga Shqipëria përçojnë mesazhin për paqartësinë dhe paqëndrueshmërinë e kufijve, si në art, ashtu edhe në jetën e përditshme

Tri përparëse prej lëkure bojëkafe që pikojnë prej shiut, qëndrojnë të varura në shtylla metalike në hapësirat e jashtme, si për t’i pritur mysafirët që vijnë. Janë pjesë të ekspozitës “Vagullnaja vizuale” që është hapur të premten në galerinë “Open Art” në Prishtinë. Paralelisht me të, një ditë më herët është hapur e njëjta ekspozitë, por me vepra të ndryshme edhe në “Flori Gallery” në periferi të kryeqytetit. Si ekspozitë kolektive, publikut i janë prezantuar veprat artistike të nëntë artistëve shqiptarë, që të gjithë edhe pedagogë të Universitetit të Arteve në Tiranë. Kuruar nga Ardian Isufi, këto vepra artistike të mediumeve të ndryshme – siç edhe e shpjegon titulli i ekspozitës – përçojnë mesazhin për paqartësinë dhe paqëndrueshmërinë e kufijve, si në art, ashtu edhe në jetën e përditshme.

“Vagullnaja vizuale” përfaqëson një përpjekje për të krijuar një gjendje pamore ku kuptimi nuk shfaqet menjëherë. Ekspozita eksploron paqartësinë përmes peizazheve të ndërmjetësuara, hapësirave të simuluara dhe versioneve të përmbysura të vendeve historike, duke sfiduar shikuesin të reflektojë mbi vetë natyrën e përfaqësimit. Artistët pjesëmarrës të kësaj ekspozite, secili duke sjellë perspektivën dhe narrativën e vet unike janë: Albes Fusha, Ardian Isufi, Ardian Kapo, Artan Marku, Artan Peqini, Ergys Krisiko, Gazmend Leka, Helidon Haliti dhe Sadik Spahija.

Instalacioni i artistit Sadik Spahija i pret vizitorët në hyrje të “Open Art”

Pamja që ofrohet përmes pikturave, skulpturave, fotografive e instalacioneve, është e paqëndrueshme dhe e lëvizshme, me kufij të paqartë. Edhe konsiderohet si ftesë për ta përjetuar paqartësinë jo si pengesë, por si element thelbësor të shprehjes. Kjo qasje nxit interpretime të shumëfishta dhe kërkon pjesëmarrjen aktive të audiencës që e sodit, duke e thelluar përjetimin estetik dhe në këtë mënyrë krijon një rezonancë më të ndjeshme dhe personale me veprën. Në këtë mënyrë, projekti reagon fuqishëm ndaj pritshmërive për qartësi, përfaqësim të plotë dhe kuptim të atypëratyshëm, sidomos në kohën kur gjithçka duket e tejdukshme, por mbetet vështirë e kuptueshme.

Më shumë se estetik, konceptin e saj kuratori Ardian Isufi e ka konsideruar filozofik. Sipas tij, i takon vështruesit t’i gjejë paqartësitë, duke qenë se vetë arti si natyrë është i paqartë. Veprat e ekspozuara përfaqësojnë një gjendje tranzicioni e ndërmjetësie hapësinore, mirëpo ambiguiteti në këtë situatë shfaqet në kontekste të ndryshme, qysh nga ritet antropologjike të kalimit deri te hapësirat e përditshme dhe madje edhe proceset krijuese.

“Është një koncept jo thjesht estetik, por edhe një koncept filozofik, sepse ne mendojmë që ky lloj titulli është një sinonim që lidhet jo me paqartësinë e të shikuarit, por me ata kufijtë të cilët kanë një lloj paqëndrueshmërie dhe që vetë publiku, nëpërmjet veprave tona duhet t’i gjejë, duhet t’i kërkojë, duhet të angazhohet në njëfarë mënyre, sepse – shpesh e them edhe me kolegët – vepra e artit nuk është një përfundim, nuk është një përgjigje, por është një pyetje”, ka thënë ai.

Si ngjarje paralele në dy lokacione, ekspozita duket si një laborator zhvillues në dy hapësira të veçanta, një te “Prishtina Mall” te “Flori Gallery” dhe tjetra në galerinë “Open Art”. Lindur nga bashkëpunimi miqësor i dy artistëve: Ardian Isufi dhe Naim Spahiu, kësaj iniciative i janë bashkuar shumë artistë, duke e gjetur vendin brenda dialogut e hapësirave komunikuese, për t’i spikatur sfidat që ka arti bashkëkohor.

“Sot, të gjithë artistët pjesëmarrës kanë dhënë nga një dorë në njëfarë mënyre, pra jo vetëm e kemi kthyer këtë hapësirë në një format specifik, siç jemi përpjekur me një dashamirësi, por edhe me një qëndrim të qartë për sfidat që ka arti bashkëkohor, edhe te ‘Flori Gallery’, kurse në këtë rast, qysh nga instalacioni jashtë i profesor Sadikut dhe e gjithë puna që shikoni duken gati si përthyerje të njëra-tjetrës, duken si pasqyra që reflektojnë me njëra-tjetrën dhe pa dyshim që reflektojnë edhe me publikun”, ka shtuar kuratori Isufi, veprat e të cilit janë gjithashtu të ekspozuara në galeri.

Me krijimin e një ndërveprimi mes qëndrueshmërisë dhe lëvizshmërisë, mes asaj që është e pandryshueshme dhe asaj që kalon, rezulton shndërrimi i hapësirës së ekspozitës në një mjedis shoqëror. Aty, të pranishmit jo vetëm që i këqyrin veprat, por edhe angazhohen në mënyrë aktive

Me krijimin e një ndërveprimi mes qëndrueshmërisë dhe lëvizshmërisë, mes asaj që është e pandryshueshme dhe asaj që kalon, rezulton shndërrimi i hapësirës së ekspozitës në një mjedis shoqëror. Aty, të pranishmit jo vetëm që i këqyrin veprat, por edhe angazhohen në mënyrë aktive, duke reflektuar, duke bërë pyetje, duke dhënë interpretimet e tyre dhe duke krijuar kështu rrëfime të reja për veprat.

Piktori Naim Spahiu, i cili ka folur para të pranishmëve, ka falënderuar nismëtarët e këtij projekti.

“Një falënderim fillimisht për iniciativën e profesorit Ardian, në bashkëpunim me dekanin e Fakultetit, zotin Spahija, një iniciativë që e kanë bërë shumë rastësisht, por me një qëllim shumë madhështor që këta artistë të vijnë dhe të ekspozojnë dhe që thjesht ta japin vlerën e tyre e të jenë prezentë në mesin tonë”, ka thënë ai.

Muret e galerisë mbajnë të varura piktura që përmes të zakonshmes japin mesazhe të qarta ndaj situatave të paqarta, deluzione dhe realitete, fotografi që tregojnë simetrinë e figurave të përmbysura, si dhe instalacione të kornizuara. Mbi tavolina janë ekspozuar skulptura: koka të gdhendura njerëzish, teksa dyshemeja është e shtruar me afro dhjetë korniza të ndriçuara nga brenda, teksa mbi xham shfaqin pamje të ndryshme, shumica abstrakte. Njëra anë e murit ka një instalacion tjetër, një mesazh me gjemba. Germat që ndriçojnë formojnë frazën “Unë nuk prishem kurrë”.
Qëllimi i ekspozitës, sipas Artan Peqinit, njëri nga artistët që kanë ekspozuar, është që ta rrisë shikueshmërinë, në kuptimin që përmes pranisë së njerëzve, të krijohet një gjuhë komunikuese.

“E kemi titulluar ‘Vagullnaja’, natyrisht nga koncepti i ekspozitës që lidhet pa dyshim me paqartësitë që kanë kohët e sotme, jo vetëm në arte, por në çdo lëmë të jetës sonë. Natyrisht, të ndërtuarit e ekspozitës sidomos në Prishtinë, në Kosovë është një impenjim por edhe një situatë që është shoqëruar me shumë entuziazëm nga vetë autorët. Unë mendoj që një nga funksionet e ekspozitave ose të ngjarjeve kulturore është pikërisht komunikimi dhe kjo ekspozitë këtë e merr përsipër, të rrisë komunikimin, të rrisë visibilitetin e prezencën e njerëzve dhe natyrisht të rrisë mënyrën për të bërë sa më shumë pyetje”, ka thënë ai për KOHËN, teksa prapa tij gjendet puna e vet: një pikturë që paraqet kthjelltësinë e detit dhe jetën pranë tij. 

Qëllimi i ekspozitës është ta shndërrojë galerinë në një hapësirë alternative, ku arti dhe publiku ndërthuren dhe ndërveprojnë aktivisht

Qëllimi i ekspozitës është ta shndërrojë galerinë në një hapësirë alternative, ku arti dhe publiku ndërthuren dhe ndërveprojnë aktivisht. Kjo marrëdhënie dinamike synon të prodhojë përvoja dhe kuptime të reja që vënë në pikëpyetje perceptimin mbi hapësirën, kohën dhe vetë thelbin e artit. Ndonëse në mediume të ndryshme, sipas Sadik Spahisë, të gjitha këto vepra kanë emërues të përbashkët problemet e kohës, në të cilën ata frymojnë, duke u takuar të gjithë në ujërat e bashkëkohores.

“Ajo që i bashkon të gjithë këta në një ekspozitë është një koncept, i cili ka lidhje me kohën tonë, me problemet e kohës sonë, me ata artistë që në krijimtarinë e tyre kanë pika takimi në frymën e artit bashkëkohor, pavarësisht mediumit, përdoret instalacion, përdoret video, përdoret foto, përdoret piktura. Asnjë nga to nuk ka ndonjë prioritet për sa i takon elementit teknologjik, por ka një sfidë për sa i takon koncepteve dhe gjuhës që e përdorin për të komunikuar me njerëzit, me publikun dhe me njëri-tjetrin”, ka thënë Spahija, vepra më e spikatur e të cilit është instalacioni me tri përparëse që është e ekspozuar në oborr të galerisë. Ai është edhe dekan i Fakultetit të Arteve Vizuale në Universitetin e Arteve në Tiranë.

Ndonëse nën kujdesin e Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë, Spahija ka thënë se ky nuk ka qenë një projekt institucional, por në fakt një iniciativë mes dy artistëve, “që do të thotë se edhe në mënyra joinstitucionale mund të ndërtohen bashkëpunime shumë të shëndetshme”.