Kulturë

“Albanian” dhe “Jam shqiptare” ndalohen në Mal të Zi

Prishtinë, 26 janar - Kënga e njohur “Albanian” nuk ka të drejtë të transmetohet në televizionet e Malit të Zi. Dy televizione, të cilat pjesën më të madhe të programit e kanë me përmbajtje në gjuhën shqipe, “Teuta” dhe “Boin”, kanë marrë vërejtje për shkak të këngëve që kanë transmetuar.

I pari, për shkak të hitit të “Etnon” ft. Lyrical Son dhe DJ Blunt, realizuar para 13 vjetësh dhe që tash nga një institucion i pavarur i themeluar nga shteti konsiderohet si vepër me të cilën “mund të rrezikohet rendi kushtetues i Malit të Zi”. Televizionit tjetër vërejtja i është bërë për këngën folklorike “Jam shqiptare” të Pëllumb Vrincës, që ndër të tjera “mund të nxisë gjuhë të urrejtjes”.

Vërejtjet “Teutës” me seli në Ulqin dhe “Boinit” në Tuz, i janë bërë nga Agjencia për Mediat Elektronike, në dhjetor të vitit 2017, një muaj pas transmetimit të këngëve në programin më 28 Nëntor. Nëse këto këngë ritransmetohen, televizionet do të dënohen.

Një vendim të tillë Milot Hasangjekaj nga “Etnon”, e ka cilësuar si politik.

Ilmira Lika drejtoreshë e “TV Teuta” thotë se nuk bëhet fjalë për vendim politik, por nuk pranon që me transmetimin e “Albanian” kanë shkelur ndonjë ligj.

Videoklipi i “Albanian” paraqet disa prej personaliteteve më të njohura shqiptare dhe njëkohësisht hartën e Shqipërisë së bashkuar, që përfshin Tiranën, Prishtinën, Tivarin, Ulqinin, Ohrin, Shkodrën e Plavën e Gucinë (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.