Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka rënë pre e një video të montuar duke kënduar këngë çetnike serbe e cila është shpërndarë në rrjetin social Twitter. Por në fakt, në videon origjinale, Abazoviq i shoqëruar me disa persona të tjerë po këndonin shqip.
Në videon e montuar, Abazoviqi bashkë me të ftuarit e tjerë dëgjohen duke kënduar për kreun e lëvizjes çetnike, Drazha Mihajloviq.
Videoja e montuar:
Vjeruje lli jos ko ovome smećaru pic.twitter.com/DJe6PdDmDR
— Gruna Stramen ?? budući UDBAŠ (@GrunaStramen_) June 21, 2023
Por videoja e vërtetë - e cila gjendet në faqen zyrtare të URA-së në Facebook, partisë që udhëhiqet nga Abazoviqi – tregon se ata po këndojnë këngën shqipe “Në anën e malit, në Ulqin”.
KOHA ka kontaktuar me Abazoviqin, i cili ka konfirmuar se videoja është montazh, duke i quajtur “marri” tentimet për diskreditimin e tij.
"Videoja është montazh. Jemi duke kënduar shqip, 'Në anë të Malit, në Ulqin'. Ata persona as nuk dinë serbisht. Mos u merrni me këto marri”, ka thënë Abazoviq për KOHËN.
Abazoviq është ende kryeministër në detyrë i Malit të Zi, pasi partia fituese në zgjedhjet të fundit ende s’e ka formuar Qeverinë.