Kulturë

Ismail Kadare në Kosovë kurorëzon veprën e vet letrare

Ismail Kadare në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, më 6 prill të vitit 2017 (Foto: Driton Paçarada)
 

Është i ftuar nderi i edicionit të sivjetmë të Panairit të Librit në Prishtinë dhe vjen me botimin e kompletit të veprave të tij, por ardhja e Ismail Kadaresë ka edhe tjetër qëllim tok me simbolika. Është Kosova që ia botoi e para kompletin e veprave këtu e 43 vjet më parë, përderisa lidhja me Panairin është e kahershme, kur qe i ftuar nderi edhe në edicionin e të parit Panair të Librit në Kosovën e lirë, në nëntorin e vitit 1999, bashkë me Dritëro Agollin, tashmë i ndjerë. Sivjet i ftuar nderi është edhe Rexhep Qosja

Shkrimtari shqiptar me nam botëror, Ismail Kadare, është i ftuari i nderit i edicionit të sivjetmë të Panairit të Librit në Prishtinë. Por ardhja e tij ka edhe një qëllim: në kuadër të panairit të librit “Prishtina 2023”, Kadare do të promovojë ekskluzivisht edhe kompletin më të ri të krijimtarisë së tij. Edhe kjo ka një simbolikë dhe lidhet me Kosovën.

Ai pritet të qëndrojë në Prishtinë tri ditë dhe do të marrë pjesë në një sërë ngjarjesh e takimesh me emra të shquar të jetës kulturore shqipe.