Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me zhvillimet në tri vazhdimet e fundit të seancës konstituive e të Kuvendit, të mbajtura pas aktgjykimit për bllokadën në Kuvend.
LDK-ja i është drejtuar Kushtetueses me pyetje rreth kërkesës për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Anëtari i LDK-së, Shkëmb Manaj ka thënë se seancat po vazhdojnë në kundërshtim me Kushtetutën dhe se Gjykata Kushtetuese duhet të sqarojë të gjitha normat kushtetuese dhe të rregullores së Kuvendit në kuptim të vazhdimit të seancës.
“Në të gjitha praktikat e mëhershme kryetari i Kuvendit është zgjedhur me votim të hapur. Nuk është çështje e vullnetit politike, është çështje e Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit, është përcaktuar qartë rendi i ditës. E ftojmë kryesuesin dhe VV-së që t’i kthehen kushtetutshmërisë dhe të japin kontributin për konstituim”, ka thënë ai.
Të enjten Gjykatës Kushtetuese është drejtuar Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Kryetari i saj, Memli Krasniqi, para dërgimit të lëndës në Kushtetuese, tha se pret që ajo të trajtohet me urgjencë.
Sipas Krasniqit, vazhdimet e seancës pas aktgjykimit të Kushtetueses javën e kaluar, janë shkelje e qëllimshme e me vetëdije e kryesuesit Avni Dehari dhe partisë prej nga vjen ai.
E sqarime nga Kushtetuesja do të kërkojnë edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, por deputeti nga lista e saj, Nezir Kraki, tha se ende nuk është vendosur kur.
Në këtë aktgjykim, Kushtetuesja ka dhënë vendim që Kuvendi të konstituohet brenda 30 ditësh. Me që një afat i tillë nuk ka qenë i përcaktuar më herët, sipas vendimit të gjykatës, konstituimi në situatën aktuale duhet të bëhet deri më 26 korrik.
Edhe presidnetja Vjosa Osmani të premten ka theksuar se nëse Kuvendi nuk konstituohet së shpejti, ajo do t'i drejtohet Kushtetueses me pyetjen se cilat do të jenë pasojat.