Një javë nga aktgjykimi i saj, në lidhje me situatën në Kuvend, Gjykata Kushtetuese do ta pranojë edhe një kërkesë të re. PDK-ja do t’i drejtohet me kërkesën për vlerësim të kushtetutshmërisë së veprimeve të Lëvizjes Vetëvendosje në seancat e fundit. Për seancat e fundit, Gjykatës pritet t`i drejtohen edhe LDK-ja e LVV-ja
Gjykata Kushtetuese është adresa ku partitë politike do të kërkojnë sërish ndihmë për ngërçin në Kuvend.
Të enjten, këtij institucioni i është drejtuar Partia Demokratike e Kosovës.
Kryetari i saj, Memli Krasniqi, para dërgimit të lëndës në Kushtetuese, tha se pret që ajo të trajtohet me urgjencë.
Sipas Krasniqit, vazhdimet e seancës pas aktgjykimit të Kushtetueses javën e kaluar, janë shkelje e qëllimshme e me vetëdije e kryesuesit Avni Dehari dhe partisë prej nga vjen ai.
“Ne do ta trajtojmë shkeljen e qëllimshme dhe me vetëdije nga ana e kryesuesit të seancës dhe grupit ma të madh parlamentar të LVV-së në tri seancat e fundit. Pra, votimin e komisionit i cili është tentim për ndryshim të rendit të ditës, gjë që është ndalu nga aktgjykimi i fundit”, tha Krasniqi.
Veçmas nga kolegët në PDK, Kushtetueses kanë paralajmëruar se do t`i drejtohen edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Normalisht që jemi edhe në koordinim, bashkëpunim dhe bashkëbisedime që të shohim se si do t`i qasemi, por gjithsesi që do t`i qasemi Gjykatës Kushtetuese me pyetjen dhe me adresimin që edhe aktgjykimi i fundit, por edhe Kushtetuta e vendit janë duke u shkelë në seancat e fundit që po i shohim”, tha deputeti i LDK-së, Alban Zogaj.
E sqarime nga Kushtetuesja do të kërkojnë edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, por deputeti nga lista e saj, Nezir Kraki, tha se ende nuk është vendosur kur.
Deklarimet e deputetëve u bënë pas dështimit të 41-të për konstituimin e Kuvendit.
Seanca e së enjtes u karakterizua me kërkesat e deputetëve të opozitës së deritanishme ndaj kryesuesit të Kuvendit për mosshkelje të Kushtetutës.
Thirrjet u bënë brenda pak sekondave, sa kishin në dispozicion në foltoren e Kuvendit, para se t`iu ndalej mikrofoni me urdhrin e kryesuesit Dehari.
Seanca u ndërpre pas zhvillimit të votimit për formimin e komisionit për realizimin e votimit të fshehtë, e në të cilën morën pjesë 54 deputetë nga 100 sa ishin në sallë.
Me gjithë ndërprerjen, deputetët e PDK-së, LDK-së e AAK-së qëndruan në sallë edhe për disa minuta, e madje edhe mbajtën fjalime të shkurtra.
Qëndrimin në sallë, deputeti i Vetëvendosjes, Nezir Kraki e konsideroi “spektakël të zbehtë”.
“Ne kemi javë që i bëjmë thirrje deputetëve të PDK-së e LDK-së dhe të gjithëve aty që të mos vijnë në sallë për badihava dhe ata kanë gati tre muaj tash që vijnë veç hajt. Dhe kjo ardhja në sallë veç hajt sa për spektakël, ka nisë me i dalë boja edhe kësaj ardhje”, tha Kraki.
Vazhdimi i radhës i seancës së nisur më 15 prill do të mbahet të shtunën.