Kulturë

“Sunny Hill” rikthehet në Prishtinë

Nëpërmjet një komunikate të përbashkët, Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës dhe "Sunny Hill Festival", njoftuan të hënën, se "Sunny Hill" do të mbahet në Prishtinë më 4, 5, 6 dhe 7 gusht.

Në njoftim, thuhet se institucionet “bashkuan forcat për një edicion të mrekullueshëm të Festivalit sivjet, aty ku e ka vendin, në Prishtinë”.

KOHA mëson se Festivali mund të mbahet në fshatin Shkabaj ose në Pakun e Gërmisë, ku janë mbajtur edhe dy edicionet e kaluara.

"Qeveria e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe ‘Sunny Hill’ Festival bashkojnë forcat për një edicion të mrekullueshëm të festivalit sivjet, aty ku e ka vendin, në Prishtinë. Institucionet qendrore dhe lokale bashkërisht, sipas mandatit që kanë do të ofrojnë mbështetje të plotë për edicionin e sivjetmë, i cili do të mbahet në një lokacion të përshtatshëm. Të gjithë shprehin gatishmërinë që çështja e shfrytëzimit afatgjatë të tokës të diskutohet edhe pak kohë deri në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme”, thuhet në komunikatë.

 

Deklaratë e përbashkët e Ministrisë së Kulturës (në emër të Qeverisë së Kosovës), Komunës së Prishtinës dhe Sunny Hill...

Posted by Perparim Rama on Monday, June 20, 2022

Kreu i Prishtinës, Përparim Rama, deklaroi se synim është që nga viti i ardhshëm, festivali të organizohet në Bërnicë, ku është diskutuar tash e sa kohë. Ai shtoi se “Sunny Hill” do të mbahet edhe në Tiranë, më 26, 27 dhe 28 gusht, në “një edicion të veçantë me një line-up tjetër”.

Më 14 qershor, u mor vendim që "Sunny Hill" të mos mbahet në Prishtinë, duke u zhvendosur në Tiranë.

Organizatorët fajësuan institucionet e shtetit për mosdhënie të parcelës së premtuar prej 17 hektarësh në Bërnicë, ku parashihet që në të ardhmen të mbahet festivali.