Kulturë

Shtatorja e Rooseveltit largohet nga Muzeu i New Yorkut pas polemikave

Një shtatore e presidentit amerikan Theodore Roosevelt, që kishte zënë vend para Muzeut të New Yorkut për gati 80 vjet, u hoq këtë javë pas kritikave për imazhin e saj “racor”.

Skulptura, e cila ndodhej në Muzeun Amerikan të Historisë Natyrore, e paraqiste presidentin e 26-të të Amerikës mbi një kalë. Në njërën anë të tij një burrë vendas amerikan dhe në tjetrën një afrikan.

Një zëdhënës i Muzeut në një përgjigje të kthyer me shkrim ka thënë për CNN se procesi i heqjes së statujës “u krye me specialistë që merren me ruajtjen dhe u miratua nga agjenci të shumta të qytetit të New Yorkut”. Po ashtu, parashihet edhe një restaurim i sheshit përballë Muzeut.

Heqja e statujës filloi të martën dhe u largua të enjten, pas një procesi polemikash që zgjati një vit e gjysmë.

Muzeu fillimisht kërkoi që shtatorja të hiqej në qershor të 2020-s, pas vrasjes së George Floyd në Minneapolis dhe protestave globale që pasuan. Statuja e Roosevelt-it tani bashkohet me një numër monumentesh të tjera amerikane që janë zhvendosur gjatë muajve të fundit. Shumica e këtyre largimeve, nëse jo të gjitha, u nxitën nga protestat e vitit 2020.

“Statuja në vetvete komunikon një hierarki racore që për Muzeun dhe publikun është diçka shqetësuese”, ka shkruar Muzeu në kërkesën e qershorit. Kjo shpërfaqet në kompozicionin e statujës: njeriu i bardhë, Roosevelt, është vendosur në qendër me kalë, ndërsa dy burrat e tjerë prapa tij duke ecur.

Kjo kërkesë e qershorit të 2020-s u miratua nga kryetari i Bashkisë së New Yorkut në atë kohë, Bill de Blasio. Një vit më vonë, Komisioni i Dizajnit Publik të Qytetit të New Yorkut votoi unanimisht për heqjen dhe ruajtjen e përkohshme të skulpturës.

Një shtëpi e re për statujën u njoftua nëntorin e kaluar: qyteti Medora në Dakotën Veriore, me saktësisht biblioteka presidenciale “Theodore Roosevelt”.

Biblioteka, e cila do të hapet në vitin 2026, përmes një deklarate ka bërë të ditur se ka arritur një marrëveshje kredie afatgjatë me qytetin e New Yorkut.

Që nga viti 1940 skulptura kishte qëndruar përpara Muzeut të New Yorkut dhe ishte punuar për të nderuar presidentin Roosevelt.

“Muzeu është krenar që do të vazhdojë të jetë vendi i memorialit zyrtar të shtetit të New Yorkut për Theodore Roosevelt-in”, është shkruar në deklaratë me shkrim.