Kulturë

“Cancel Culture” zbërthehet edhe me italianen në “mision” për shkeljen e lirisë në Kosovë

Francesca Borri është rikthyer në Kosovë si pjesëmarrëse në festivalin ndërkombëtar të letërsisë “Polip”. Gazetare e zonja, reportere nga Lindja e Mesme, shkruan dhe letërsi, por në debatin midis shkrimtarëve ajo ka sjellë rrëfimin e saj të vërtetë. Para 17 vjetësh kishte punuar në atë që sot është Ambasada e Italisë në Kosovë. “Puna ime ishte t’i refuzoja vizat për të gjithë”, ka kujtuar ajo duke zbardhur prapaskenat e lojës me ata që aplikonin për viza. Aty e kuptoi se po shkelte të drejtat e njeriut, e tash si gazetare përballet me ata që vrasin e cenojnë lirinë. “Liria, kultura dhe fjala e lirë vs. ‘cancel culture’”, ka qenë titulli i panelit, ku pos saj kanë marrë pjesë edhe shkrimtari gjerman Ralph Hammerthaler e poeti nga Kosova, Agon Rexhepi

Në vitin 2004 Francesca Borri ishte në fund të studimeve në Firence. Si studente e drejtësisë, asokohe hamendësonte se si do të merrej me të drejtat e njerëzve. Me gjasë, të paktën prej asaj që ka treguar, zor t’i ketë shkuar mendja se për disa muaj do të ishte e sforcuar që të shkelte të drejtat e njeriut. Por kjo do t’ia ndërronte jetën për 180 shkallë. Është pikërisht Kosova përvoja që do ta bënte Borrin ajo që është sot. Në vendin që asokohe ishte nën administrim të Kombeve të Bashkuara, Borri pa realitetin ku njerëzit trajtoheshin si qenie të rrezikshme. Ata s’duhej të udhëtonin.

Përvojën e saj e ka ndarë me audiencën e ditës së fundit të edicionit të sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të letërsisë “Polip”.

“Liria, kultura dhe fjala e lirë vs. ‘cancel culture’”, ishte paneli i mesditës të dielën që bëri bashkë Borrin, shkrimtarin gjerman Ralph Hammerthaler e poetin Agon Rexhepi nën moderim të shkrimtares gjermoano-kroate Alida Bremer.

Borri: “Puna ime ishte t’i refuzoja vizat për të gjithë”

Se administrata ndërkombëtare pas luftës së fundit në Kosovë banorët vendorë i ka konsideruar si “të rrezikshëm” nuk është ndonjë risi. Bile, jo sidomos në ditët e para të lirisë. Por ky kualifikim ka vazhduar deri të paktën në vitin 2004. Për këtë është dëshmitare tash reporterja e luftës nga Lindja e Mesme, Francesca Borri. Asokohe ajo do të përfitonte nga një mundësi që të punonte jo gjatë në atë që ishte praktikisht Ambasada e Italisë në Kosovë, por formalisht nuk njihej si e tillë pasi Kosova nuk ishte ende shtet.

“Gjithçka që jam sot në esencë vjen nga Kosova”, ka thënë mesditën e së dielës në tetarin “Oda”, aty ku është mbajtur edicioni i 11-të i “Polipit” që organizohet nga qendra “Multimedia”. Prishtina e asaj kohe, sipas saj, ishte krejt ndryshe. Si shumica, ka kujtuar se mungonte furnizimi me energji elektrike. Puna e saj në Ambasadë ishte krejt e thjeshtë.

“Puna ime ishte t’i refuzoja vizat për të gjithë”, ka thënë ajo prerazi. Ka treguar se ka shumë mundësi se si mund të bëhet një gjë e tillë. Ka treguar se procedura për të marrë një vizë nga Ambasada italiane ishte poshtëruese. E ka kualifikuar kësisoj pasi procedura ishte sekrete.

“Ambasada ishte në ‘Dragodan’. Ne e kishim të ndaluar të zbritnim poshtë në qytet pasi ju ishit të rrezikshëm”, ka thënë ajo në stilin e reporteres.

Ka shpjeguar se në dy kate të ndërtesës stafi merrej me viza, kurse në të tretin qëndronin diplomatët.

“Për të aplikuar për viza ju duhej të caktonit një takim. Puna ime ishte të qëndroja në katin e parë. Përgjigjesha në telefon dhe palës i thosha: ‘Jeni gabim, duhet të thirrni në numrin tjetër. Në tjetrin thuhej ‘ju duhet të bëni një takim dhe ky nuk është numri i duhur’”.

Ndërkohë kishte marrë vesh si një person me të vëllanë me varkë ia kishin mësyrë Italisë. Bëhej fjalë për një njeri që kishte nevojë për tretman mjekësor. I njëjti kishte vdekur. “Nuk mund ta merrte vizën për të shkuar e për t’u shëruar. E pashë që kjo kishte të bënte me të drejtat e njeriut”, ka thënë Borri.

“Dera që nuk duhej hapur”

Ajo banonte jo larg Ambasadës, siç ka kujtuar, nja 200 metra larg ndërtesës që përfaqësonte Italinë në Kosovë, ka përshkruar mëngjeset e acarta të nëntorit, dhjetorit e të janarit. Derisa ecte për të shkuar në punë, turma e njerëzve para ndërtesës priste kot. Kjo gjendje e irritonte italianen që për dallim nga ata që vraponin pas vizave, vetë mund të udhëtonte e lirë.

“Një ditë e hapa derën e përgjegjëses së Zyrës së vizave dhe i thashë: ‘Çfarë jemi duke bërë? A po i shihni këta njerëz?’. Ajo e mbylli derën dhe tha: ‘Shiko, ju jeni e re. Por është e lehtë. Asnjëherë mos e hapni një derë në jetën tuaj. Asnjëherë’. Ky është titulli i librit tim të parë, ‘Never open’”, ka thënë Borri. Por këshilla që kishte marrë nga asokohe eprorja e saj, do të ndikonte që Borri ta bënte pikërisht të kundërtën.

“Më pas kam lënë Kosovën dhe mendoj se e gjithë jeta ime po shkon duke hapur dyer”, ka thënë ajo.

Në vitin 2007 do të zhvendosej në Ramallah të Palestinës si specialiste e të drejtave të njeriut. Prej vitit 2012 është reportere e luftës. Ka mbuluar “Pranverën Arabe”, përfshirë Aleppon. Prej asaj kohe punon në Lindjen e Mesme. Ka mbuluar edhe të bëmat e xhihadistëve në Azinë Juglindore, krizën e refugjatëve në Evropë, por Ramallahu mbetët baza. Shkruan për “Yedioth Ahronoth”, që është gazeta më e madhe e Izraelit, “la Republican” italiane dhe rrjetin e “Al Jazeeras”. Kohëve të fundit është marrë me shumë vende ku pandemia ka shkaktuar alamet problemesh në jetët e njerëzve. Veprat e saj janë përkthyer në 24 gjuhë. Libri i fundit është ai i vitit 2018, “Destination Paradise. Among the jihadists of the Maldives” (Destinacioni Parajsa. Ndër xhihadistët e Maldiveve”.

“Vendi ku nuk kam fare liri si gazetare është Italia”

Si reportere e luftës Borri e llogarit veten si specialiste e xhihadistëve. Kur flitet për “Cancel Culture” që është edhe tema bosht e edicionit të sivjetmë të “Polipit”, ajo ka thënë se në Itali ky term do t’ua kujtonte njerëzve periudhën e fashizmit me në krye Benito Mussolinin. Ka treguar se talebanët – grup ky që në fund të muajit të kaluar ktheu nën administrim Afganistanin pas dy dekadash, e këtë muaj formoi edhe qeverinë – përdorin shumë dhunë, “por nuk mund t’iu thuash grup terrorist”.

Ajo ka treguar se para dy vjetësh ka realizuar një intervistë me liderin e Hamasit, Ismail Abdel Salam Ahmed Haniyeh, dhe nuk ka pasur media perëndimore që e ka botuar. “Ata nuk donin ta dëgjonin atë”, ka thënë ajo në kontekstin e “Cancel Culture”. Ka thënë se gazetat izraelite donin ta botonin pasi donin të dinin se çfarë thoshte. Sipas saj, lideri i Hamasit kishte dhënë një intervistë për një gazetare italiane pasi ai donte t’iu fliste izraelitëve pa dashur të fliste me një izraelit.

“Si specialiste e të drejtave të njeriut nuk do të imagjinoja se vendi ku nuk kam fare liri si gazetare është Italia. Gjithmonë nëse i prekni të fortët. Por kudo që e prekni fuqinë, përfundon gjithçka”, ka thënë ajo.

Maldivet si vendi më i rrezikshëm

Gjatë luftës në Siri – konflikt ky që sipas Borrit ende po vazhdon, por nuk është në vëmendje të Perëndimit – kishte hasur në shumë xhihadistë që vinin nga Maldivet. I kishte bërë shumë përshtypje se vendi i njohur si “Parajsa në tokë” i jepte shumë xhihadistë Sirisë. Sipas saj, Maldivet janë vendi joarab me më së shumti xhihadistë në Siri. Arkipelagu udhëhiqet nga rregullat e islamit, përkatësisht Ligji i Sheriatit. Krejt këto rrethana ia kishin mbushur mendjen Borrit që t’ua mësynte Maldiveve. Pikërisht ky shtet është edhe subjekti i librit të saj të fundit .

“Më ka interesuar kjo: se si vijnë xhihadistë nga ajo parajsë. Në Maldive ka ligj strikt të Sheriatit. Në Ramazan vetëm nëse ha çamçakëz të arrestojnë. Ka dënime publike. Kjo ndodh në kryeqytet e pjesa tjetër përreth është parajsa jonë”, ka treguar ajo. Menjëherë ka nxjerrë një konstatim. “Për mua Maldivet janë vendi më i rrezikshëm”, ka thënë prerazi. Këtë e ka arsyetuar me dhunën në rrugë, faktin që, sipas saj, resortet posedohen nga një grup njerëzish nga Maldivet dhe biznesmenë ndërkombëtarë dhe popullsia nuk ka asgjë.

“Ka vetëm drogë dhe dhunë në kryeqytet. Kur libri im u publikua në anglisht e pashë çka është ndalimi i kulturës nga xhihadistët e Maldiveve”, ka thënë ajo.

Ka përsëritur disa herë se është reportere e luftës e jo zëri i atyre që nuk kanë zë. Ka thënë se në Siri njerëzit kurrë nuk kanë pasur zë. Derisa ka folur për punën që bën ka treguar se tash është koha e rrjeteve sociale. Por, sipas saj, me gjithë zbehjen, mediat tradicionale ende kanë fuqi.

“Mediat e vjetra e kanë humbur pak fuqinë, por ne gazetarët prapë kemi fuqi. Ne vendosim se çfarë ju të dini”, ka thënë ajo. Për të, “Cancel Culture” sot është pabarazia.

“Nuk mund t’i themi dikujt: ‘Nuk dua t’ju njoh’. Duhet ta hapni derën sepse nëse nuk e hapni do t’ua hapë dikush me kallashnikov në dorë”, ka qenë fjalia e saj e fundit.

Refuzimi i djathtistëve në Gjermani, një libër për Kosovën

Por hapja e derës del të jetë problem gjithandej. Fenomeni i “Cancel Culture” në ditët e sotme, sipas shkrimtares Alida Bremer, është duke u përdorur nga djathtistë të cilët të majtët i akuzojnë se duke qenë “politikisht korrekt po e shkatërrojnë artin”.

Shkrimtari Ralph Hammerthaler i lindur më Wasserburg të Gjermanisë jeton në Berlin. Veprat e tij më të njohura janë “Everything is Fine”, “The Fall of Friedrich Voss” dhe “Short Novel About a Crime”. Së fundi janë botuar veprat e tij “Kosovo’s Daughters” dhe “The Fifth Night”. Ai ka thënë se është i afërt me revistën teatrore “Theater der Zeit”. Ka kujtuar se para dy vjetësh udhëheqësit e revistës kishin vendosur që ta thërrisnin për një intervistë Marc Jongen. Ai është politikan që prej vitit 2003 deri më 2017 ishte asistent i hulumtimeve filozofike në Shkollën e Lartë Shtetërore në Karlsruhe. Jongen konsiderohet si “kryeideologu” në partinë djathtiste AfD (Alternativa për Gjermaninë), a zëdhënësi kulturor i kësaj partie.

“Por është një lëvizje në Gjermani që nuk i do këta njerëz askund në institucione. Ata provuan të ndërhyjnë dhe thanë se nuk mund ta intervistojmë atë pasi (kundërshtarët majtistë) do të na bojkotojnë. Kjo është e rëndë për një revistë. Ata nuk e shihnin vetëm si intervistë”, ka thënë Hammerthaler. Sipas tij, krejt kjo zallamahi i ka ndihmuar shumë djathtistit. “Por një gjë e di, se në këtë rast djathtisti ishte fituesi”, ka thënë ai.

Sa i përket librit për Kosovën, ka thënë se është një vepër e mirë.

“Kur shkruaj diçka, për shembull për Kosovën, më duhet empatia dhe pak imagjinatë. Me këto i zhvilloj karakteret. Në bazë të këtyre të dyjave lexuesi i gjurmon karakteret”, ka thënë ai.

E aktivisti i të drejtave të njeriu dhe poeti nga Prishtina, Agon Rexhepi, ka thënë se situata në Kosovë është komplekse. Sipas tij, nëse dikush flet diçka në sensin e të qenit politikisht korrekt, atëherë do të injorohet nga pjesa më e madhe e publikut.

“Nuk e di nëse ‘Cancel Culture’ mund të veprojë. Ju mund t’ia bëni ‘Cancel’ dikujt por jo fenomenit”, ka thënë ai.

Pasditen e së dielës në “Polip” pritej që të diskutonte edhe shkrimtarja e njohur turko-britanike, Elif Shafak. Madje biseda online me të qe paralajmëruar si njëra prej kryengjarjeve të edicionit të sivjetmë. Të pranishmit janë mbledhur në orën 17:00 dhe kanë pritur goxha, por ajo nuk është lajmëruar online.

“Pas katër muajsh komunikim dhe tri konfirmimesh të pjesëmarrjes virtuale të autores turke Elif Shafak në edicionin XI të ‘Polipit’, ajo sot nuk ishte në gjendje të na bashkohej. Duam të besojmë që për shkak të ndonjë problemi teknik gjatë kthimit të saj nga Islanda, ku kishte pranuar një dekoratë për librin e saj të fundit”, ka njoftuar dramaturgu Jeton Neziraj, i cili udhëheq qendrën “Multimedia”.

Në mbrëmjen e së dielës, në ditën e tretë dhe të fundit të Festivalit, autorët Adela Demetja, Halil Matoshi, Ralph Hammerthaler, Genc Kadriu, Nurie Emrullai, Dhurata Hoti, Agon Rexhepi dhe Nora Prekazi-Hoti kanë lexuar pjesë nga krijimtaria e tyre.

“Polip” edhe sivjet ka bashkuar njerëzit e botës letrare në Prishtinë. Me “Cancel Culture” ka shoshitur marrëdhëniet kulturore e tendencat nëpërmjet kulturës. Bile edhe për rrëfimet se si kosovarëve duhej mbyllur dera. Festivali në 11-të edicione ka hapur derën për shumë krijues vendorë e ndërkombëtar. Për sivjet e ka mbyllur derën. Por në vitin që vjen planifikon ta rihapë edhe me publik e pa kufizime, qoftë edhe nga pandemia.