SOT

Inteligjenca artificiale, ndihmesë apo rrezik për profesionet

Inteligjenca artificiale po konsiderohet si një ndër arritjet më të mëdha të shekullit të fundit. Por, krahas përdorimit të hovshëm dhe ndikimit të saj në çdo fushë, ekziston edhe shqetësimi për zëvendësimin e disa profesioneve nga kjo teknologji.

Madje, shumë qytetarë në Kosovë besojnë se vendi do të përjetojë ndryshime të mëdha teknologjike gjatë viteve të ardhshme. Megjithatë, sipas tyre, disa profesione, si ai i mjekut nuk do të mund të zëvendësohen kurrë nga inteligjenca artificiale.

“Mendoj se është një hap shumë i mirë por ne si vend jemi shumë prapa, e kemi një shqiptare që ka kontribuar në krijimin e IA por nuk jemi duke e përdorë siç duhet. Në suaza ditore mundemi me përdorë për gjithçka ChatGPT, unë personalisht jam duke e përdor sa i përket tregtimit të marketeve financiare që po e lehtësojnë çështjen e tregtimit por mendoj se duhet mësuar edhe më tej se si të përdoret. Sa pash në lajme në Kinë kanë me dal disa robotë që kinse të zëvendësojnë doktorët, por drejtimi i mjekësisë është human dhe nuk besoj se inteligjenca artificiale do të mund të zëvendësoj këtë profesion nga një robot, mund të jetë ndihmesë por zëvendësim i plotë kurrsesi”, thekson qytetari Ejup Xhafiqi.

Disa të tjerë besojnë se shumë profesione do të shuhen, përfshirë zjarrfikësit, pasi puna e tyre mund të kryhet nga robotët. Megjithatë, ideja që njeriu të zëvendësohet plotësisht nga inteligjenca artificiale nuk po u pëlqen aspak.

“Mendoj se IA do të zëvendësoj shumëçka në të ardhmen, por asnjëherë ndjenjat njerëzore në çfarëdo profesioni. Raporti mjek-pacient nuk besoj se do të mund të zëvendësohet, e të tjerat ndoshta po në masë të mëdha, shembull zjarrfikësit ndoshta në një të ardhme. Në Kosovë brenda 5 vitesh pres të shoh ndryshime të mëdha, IA është gjë e mirë por nuk më pëlqen tendenca për të zëvendësuar njeriun. Për momentin në Kosovë nuk jemi duke ditë ta përdorim por ndoshta në të ardhmen do të dimë ta shfrytëzojmë më mirë”, deklaron qytetari Robert Kolaj.

Profesori i shkencave kompjuterike, Korab Rrmoku, thotë se IA mund të jetë ndihmë, por jo zëvendësim.

“Duhet të kuptojmë se IA punon me modele teknike dhe mëson nga e kaluara, në bazë të leximeve të hulumtimeve të fundit njeriu do mbetet kyç ku inovacioni ende është i nevojshëm ku vendosshmëria nga aspektet profesionale duhet të ketë vulën përfundimtare, për punët që janë teknike, rutinore, mekanike, IA ka potencial dhe do mund të zëvendësoj njeriun por nuk mund të tejkaloj aspektin e inovacionit dhe vendimmarrjes në shumë profile”, deklaron ai.

Rrmoku thotë se me zhvillimin e teknologjisë, disa profesione janë zbehur, por në anën tjetër janë  hapur horizonte të tjera për profesione të reja.

“Historikisht gjitha inovacionet e teknologjisë që kanë ndodhë kanë shuar disa role të caktuara por në anën tjetër kanë krijuar gjithmonë mundësi dhe profesione të reja, shuhen disa punë specifike por profesionet që krijohen përfshijnë shumë punë dhe rreziku i zëvendësimit në një kohë afatmesme nuk është aq reale dhe e madhe”, shton ai.

Profesori thekson thotë se njeriu do të mbetet gjithmonë faktori kyç. 

“Algoritmet e IA mësojnë nga e kaluara nga veprimet e ngjashme, shembull nëse është bërë një intervistë e tillë IA mëson nga burimet tjera dhe juve ju jep një informatë të përgjithshme, por idetë inovative ka kohë edhe për një periudhë më të gjatë nuk mund të zëvendësohen. Ne duhet të pranojmë faktin e ekzistimit të IA dhe ndikimin në gjitha sferat e jetës mirëpo duhet të mësohemi me simbiozën njeri, makinë, IA, njeriu është drejtuesi kryesor dhe vendimmarrësi kryesor në aspektin profesional dhe etik”, thotë Rrmoku.

Sipas tij, ndoshta disa nga profesionet që kanë një rutinë të njëjtë janë më të rrezikuara.

“Profesionet që në përditshmërinë  tyre kërkojnë angazhim të zakonshëm rutinor deri në një masë janë të rrezikuara, profesionistët e tillë duhet të fillojnë të përgatiten për një avancim profesional dhe të përshtaten me aftësi të reja të IA, besoj secili e kuptojmë aktivitetin dhe punën tonë të përditshme, nëse kemi një punë lehtë të kuptueshme nga makina e kompjuterit atëherë ajo mund të jenë potencial për zëvendësim nga IA ne duhet mundohemi që të përshtatemi me IA në profesionin tonë”, thekson Rrmoku.

Ai shton se edhe studentët gjithnjë e më shumë përdorin këto mjete për të gjetur përgjigje, por, sipas tij, jo gjithçka duhet besuar dhe patjetër duhet faktori njeri për ta vërtetuar.

“Ndikimi dhe përdorimi i IA vërehet shumë, çdo detyre, çdo angazhim që i japim studentëve përgjigjet i marrin duke shfrytëzuar këto platforma, ne nuk jemi kundër por thirrja jonë është që të përdoren në një masë, që IA të shfrytëzohet me ide origjinale, duhet të vazhdohet të përdoret por duhet pasur kujdes në mënyrën se si, përfshirja e IA në çdo sferë të jetës tanimë është e domosdoshme, është me rëndësi që njerëzit të adaptohen edhe me aftësitë që IA krijon dhe të dinë përparësitë dhe mangësitë e saj, por jo çdo informatë që gjenerohet aty duhet të merret definitive, shembull diagnozat mjekësore ose zgjidhje të ndryshme të problematikave gjithnjë duhet të ekzistoj mendimi dhe qasja kritike e pavarur e përdoruesit”, deklaron Rrmoku.

Sipas njohësve të kësaj fushe, e ardhmja e inteligjencës artificiale nuk është në zëvendësimin e njeriut, por në bashkëpunimin me të, për të rritur mundësitë dhe kapacitetet në fusha të ndryshme.