Kulturë

“Vija e gjelbër” shënon guximin e artistëve të rinj

“Vija e gjelbër” shënon guximin e artistëve të rinj

Një litar i gjelbër e disa kapëse po me këtë ngjyrë, janë ato që i lidhin vizatimet e ekspozuara në galerinë “Qahili”. Të përbashkët e kanë edhe kohën kur janë realizuar – që prej marsit e deri në maj kur studentët e Fakultetit të Arteve, përkatësisht të lëndës së vizatimit, kanë mbajtur mësim online me profesorin e tyre Eshref Qahili. Pjesa tjetër është një udhëtim vetjak nëpër punimet e 37 studentëve me ekspozitën e titulluar “Vija e gjelbër”. Të sigurt në vijat që kanë hedhur në letër, studentët, ani pse në hapat e parë të karrierës, krijojnë një art të balancuar. Vizatimet janë shenjë që ata tashmë kanë shtruar konceptet e para që do të jenë identifikuese edhe më tej në artin e tyre.

Ekspozita “Vija e gjelbër” bën bashkë studentët e vitit të parë, të tretë, si dhe të masterit. Emri i ekspozitës vjen nga piktura e famshme “Vija e gjelbër” e njohur po ashtu si “Portreti i Madame Matisse”, realizuar nga artisti i njohur Henri Matisse. Kishte pikturuar gruan e tij, Amélie Noellie Matisse-Parayre, dhe piktura kishte marrë emrin sipas një vije të gjelbër që artisti kishte bërë në fytyrën e gruas së tij duke e ndarë atë në dy pjesë, si përpjekje për të prodhuar një sens të dritës, hijes dhe volumit, duke mos përdorur hijet tradicionale. Tonet e Matissesë ishin shokuese për atë kohë. Ishte viti 1905. Guximi që ka pasur piktori atëherë është ajo që mund të gjendet edhe te artistët e rinj. Kjo veti nuk mungon te studentët. Kështu mendon edhe Eshref Qahili, njëherësh kurator i kësaj ekspozite bashkë me Nita Qahilin, raporton KOHA.