Gjykata Themelore në Gjakovë ka njoftuar se ka liruar nga akuza për vrasje të rëndë, të akuzuarin D.GJ., për vrasjen e H.A. me mjet eksploziv që ka ndodhur në tetor të vitit 2021 në Smolicë të Gjakovës.
D.GJ. gjithashtu është liruar edhe nga akuza për posedim të paautorizuar të armëve.
“Gjykata Themelore në Gjakovë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të pandehurit D.GJ., i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, akuzohet për veprën penale ‘Vrasja e rëndë’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”, thuhet në njoftim.
Në njoftim thuhet se trupi gjykues, pas mbajtjes së 16 seancave gjyqësore, dëgjimit të 10 dëshmitarëve, administrimit dhe analizimit të të gjitha provave personale dhe materiale, këqyrjes dhe rikonstruksionit të vendit të ngjarjes, si dhe analizimin e 3 ekspertizave, 2 vendore dhe 1 ndërkombëtare (nga Instituti i Forenzikës së Cyrihut në Zvicër), ka ardhur në përfundim se nuk është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprat penale si në aktakuzë.
“I pandehuri D.GJ., akuzohej se ‘me datën 14 tetor 2018 rreth orës 07:48 minuta në fshatin Smolicë të Gjakovës, ka privuar nga jeta tani të ndjerin H.A. nga fshati Smolicë i Gjakovës, dhe me atë rast vë në rrezik jetën e të dëmtuarit A. K., në atë mënyrë që ditën kritike i pandehuri D.GJ., rreth orës 02.30 minuta ka vendosur një materie eksplozivi në shtyllën e dyerve të oborrit të shtëpisë tani së të ndjerit H.A., në momentin kur tani i ndjeri rreth orës 08:02 minuta, del nga dyert e oborrit e pikërisht kur tenton të mbyll dyert, i pandehuri nga një largësi e panjohur, përmes teledirigjimit e aktivizon atë materie eksplozivi dhe nga shpërthimi, mbetet në vend i vdekur H.A., dhe lëndime trupore merr i dëmtuari A.K.’”, thuhet në njoftim.
Kundër këtij aktgjykimi, palët thuhet se kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.