Gjykata Themelore në Gjakovë, në rigjykimin e dytë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj G.E., i akuzuar se më 2 janar 2010, në diskotekën “City Club” në Pejë, kishte shtënë me armë zjarri, ku për pasojë i vrarë kishte mbetur B.Sh.
Aktgjykimi ndaj G.E. u shpall të enjten nga kryetari i trupit gjykues, Sulltan Dobraj.
Gjykatësi Dobraj tha se gjykata pas analizimit të dëshmive të dëshmitarëve, ka konstatuar se asnjë dëshmitar gjatë dhënies së dëshmisë së tyre nuk e kishin identifikuar të akuzuarin G.E. si kryerës i veprave penale.
Gjykatësi tha se Gjykata Supreme i kishte rekomanduar shkallës së pare, që në rigjykim duhet të sqarojë dhe arsyetojë mjaftueshëm veprimet e zyrtarëve policorë, kur kishin shkuar tek shtëpia e T.H. Ai tha se gjykata konsideron se në rastin konkret, kemi të bëjmë me ndërmarrjen e veprimeve në kundërshtim me dispozitat e KPPK-së dhe nenin 36, paragraf 2 të Kushtetutës së Kosovës.
“Andaj, gjykata konsideron prova të papranueshme veprimet e policisë lidhur me kontrollin e shtëpisë së T.H., dhe konfiskimit të armës dhe nuk ua ka falur besimin këtyre veprimeve”, tha gjykatësi Dobraj.
Kështu, në mungesë të provave në bazë të të cilave do të vërtetohej se i pandehuri është kryerës i këtyre veprave penale, gjykata ka marrë aktgjykim lirues, pasi nuk është provuar se G.E. ka kryer veprat penale për të cilat ngarkohej.
Të akuzuarit G.E. i ndërpritet paraburgimi. Kurse, të dëmtuarit H.B, A.B, Xh.K dhe B.Sh, për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohen në kontest civil.
Kundër këtij aktgjykimit, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh në Gjykatën e Apelit.
Gjykata Themelore në Pejë, në maj të vitit 2018, i kishte shqiptuar dënim me 25 vjet burgim, G.E.. Mirëpo, në tetor 2018, Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin në fjalë.
Pas transferimit të lëndës në Gjykatën Themelore në Gjakovë, G. E. më 14 mars 2023 është dënuar me 24 vjet burgim për akuzën se më 2 janar 2010, në diskotekën “City Club” në Pejë, kishte shtënë me armë zjarri, ku për pasojë i vrarë kishte mbetur B.Sh. Këtë vendim e kishte vërtetuar Apeli, por e ka kthyer në rigjykim Gjykata Supreme.