Një nga personat e dyshuar për vrasjen e sotme në Gjakovë është dorëzuar në Polici.
Sipas njoftimit nga Policia ai është ndaluar në mbajtje për 48 orë.
Lidhur me rastin, organet e rendit bëjnë me dije se janë identifikuar dy të dyshuar.
Sot, në orët e hershme të mëngjesit, një person i moshës madhore është dërguar për trajtim mjekësor si pasojë e lëndimeve të shkaktuara nga një mjet i mprehtë.
Fillimisht, i lënduari është dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), e më pas është transferuar në Spitalin e Përgjithshëm në Gjakovë, ku ka vdekur.
“Bazuar në hetimet fillestare, dyshohet se rreth orës 02:20, pas një mosmarrëveshjeje në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Gjakovë, viktima është sulmuar me mjet të mprehtë nga një person tjetër i moshës madhore, i cili më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Njësitë relevante policore kanë reaguar menjëherë, duke dalë në vendin e ngjarjes dhe, në konsultim me Prokurorin e Shtetit, është iniciuar rasti “Vrasje”. Si rezultat i veprimeve hetimore, janë identifikuar dy persona të dyshuar. Njëri prej tyre, me inicialet Q. S., rreth orës 09:45 është vetëdorëzuar në polici dhe, me vendim të prokurorit të shtetit, është ndaluar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftim.