Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Vdiq një 5-vjeçar në Vushtrri, dyshohet se shkak është arma e zjarrit

Arma e zjarrit dyshohet të jetë shkaktare e vdekjes së një 5-vjeçari të shtunën pasdite në Vushtrri, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

Në një njoftim për rastin, Policia e Kosovës e ka cilësuar rastin si “vdekje e dyshimtë”.

“Rreth orës 17:20, është raportuar se në Spitalin e Vushtrrisë, një fëmijë i moshës 5 vjeçar, është sjellë për ndihmë mjekësore, ndërkohë nga autoritetet mjekësore është bërë e ditur se si pasojë e lëndimeve që dyshohen të jenë nga arma e zjarrit fëmija ka vdekur”, ka thënë zëdhënësi i Rajonit të Policisë në Mitrovicë, Avni Zahiti.

Nga hetimet fillestare bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur në oborrin e shtëpisë së fëmijës.

Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë dhe një armë e llojit pistoletë, ka njoftuar Policia.

Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksionin në Institutin e Mjekësisë Ligjore.