(E përditësuar 22:30) - Një zyrtar policor është arrestuar të premten pasi dyshohet se ka shkaktuar një aksident trafiku me fatalitet në rrugën nacionale Prishtinë – Mitrovicë, konkretisht në fshatin Llazarevë, ka njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).
Sipas IPK-së, polici jashtë detyrës zyrtare, duke qarkulluar me veturën e tij private, përplasi për vdekje një qytetar 53-vjeçar.
Viktima L.S. gjithashtu ishte pjesë e Policisë si staf civil, ka njoftuar IPK-ja.
Lidhur me rastin, është iniciuar procedurë penale për veprën “Rrezikim i trafikut publik”. Ndaj policit është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh.
Vdiq këmbësori 53-vjeçar pasi u godit nga vetura në rrugën Prishtinë - Mitrovicë
(20:35) - Një 53-vjeçar ka vdekur pasi u goditur nga vetura në magjistralen Prishtinë – Mitrovicë, përkatësisht në fshatin Llazarevë, të premten rreth orës 18:30.
Sipas njoftimit të Policisë, këmbësori ka humbur jetën në vendngjarje.
Policia po kryen veprimet hetimore për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet që çuan në aksidentin fatal.
Autoritetet kanë apeluar për kujdes të shtuar në komunikacion dhe respektim të rregullave të trafikut.