Kronikë

Digjen dy zyra në Institutin e Mjekësisë Ligjore

Dy zyra në objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë janë përfshirë nga zjarri mëngjesin e së martës.

Zjarri është lokalizuar nga ekipet e zjarrfikësve, ndërsa nga ky incident nuk ka persona të lënduar.

Image

“Sot rreth orës 08:00, është raportuar se në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë , dy zyra janë përfshirë nga zjarri. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe zjarrfikësit të cilët kanë lokalizuar zjarrin. Nuk raportohet për persona të lënduar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Ndërsa, zjarrfikësit i kanë thënë KOHËS se shkaqet e zjarrit nuk dihen, e ai është lokalizuar brenda një kohë të shkurtër.

Image

“Sipas udhëheqësit të intervenimit, në momentin e zjarrit ka pasur staf por është larguar...Zyra e drejtorit është përfshirë nga zjarri e edhe një pjesë tjetër e zyrës”, ka thënë për KOHËN Abdusamed Shkodra, zyrtar i zjarrfikësve në Prishtinë.

Image

Për zjarrin ka reaguar edhe Ministria e Drejtësisë.

Në reagimin e publikuar në Facebook u tha se zëvendësministri Besnik Sallahu po qëndron në vendin e ngjarjes.

Zjarri është lokalizuar dhe për momentin nuk dihen shkaqet. Menjëherë pas pranimit të informacionit, ekipet e zjarrfikësve dhe policisë kanë shkuar në vend të ngjarjes. Zëvendësministri Sallahu është duke qëndruar po ashtu atje, për të kuptuar më shumë rreth situatës së krijuar. Për zhvillimet e mëtutjshme do të informoheni me kohë”, thuhet në njoftim.

Objekti i IML-së ishte përfshirë nga flakët edhe në fund të marsit. Atë kohë, dyshohej se shkaktar ishte defekti në instalimin elektrik.

Prokuroria i ka thënë KOHËS se janë lëshuar disa autorizime për kryerjen e ekzaminimeve nga vendi i ngjarjes dhe janë ndërmarrë veprimet e duhura hetimore.

“Prokurori i Shtetit ka lëshuar disa autorizime për kryerjen e ekzaminimeve nga vendi i ngjarjes dhe nga të gjeturat e tyre eventualisht në rast të paraqitjes së elementeve të veprës penale, do t’i ndërmarrë veprimet e mëtejme konform dispozitave të KPPRK-së. Prokuroria në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, IML-në dhe institucionet e tjera relevante janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore deri në sqarimin e plotë të rastit në fjalë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.