Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se ka paraqitur kërkesë për caktimin e masave të sigurisë ndaj tre të dyshuarve për përfshirje në veprimtari kriminale të shpërndarjes së narkotikëve.
Departamenti për Krime të Rënda ka kërkuar paraburgim për të dyshuarit E.S. dhe Sh.S., ndërsa Departamenti për të Mitur ka paraqitur kërkesë për arrest shtëpiak ndaj të miturit U.S.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge”, në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Të dyshuarit janë arrestuar pas një periudhe hetimesh intensive dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore, në koordinim me Policinë e Kosovës. Gjatë aksionit janë sekuestruar një veturë, substanca narkotike të llojeve marihuanë dhe kokainë, si dhe një shumë parash.
Me vendim të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, të dyshuarve E.S. dhe Sh.S. u është caktuar masa e paraburgimit, ndërsa ndaj të miturit U.S. është caktuar arresti shtëpiak.