Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

​Themelorja thotë se po e trajton me seriozitet zhdukjen e Bedri Rexhepit

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se është duke u marrë me rastin e zhdukjes së Bedri Rexhepit, derisa thekson se është duke punuar me seriozitetin maksimal dhe me të gjitha kapacitetet që disponon në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës.

Sipas njoftimit, prokurori i Shtetit ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me këtë rast, dhe me urdhër të tij është ndaluar një person i dyshuar për veprën penale “Rrëmbim” dhe një tjetër person i dyshuar për veprat penale “Mashtrim”, “Shantazh”, “Prezantim i rremë si person zyrtar “, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Manipulim me prova”, të parapara sipas KPRK-së, të cilët ndodhen nën masën e paraburgimit.

“Deri më tani, pavarësisht bashkëpunimit edhe me strukturat e sigurisë së Kosovës, si KFOR-i, FSK-ja, etj, nuk kemi arritur ta identifikojmë vendndodhjen e tani të dëmtuarit B.R. Ne e kuptojmë shqetësimin e familjes së të dëmtuarit dhe të shoqërisë, në përgjithësi, për faktin se deri më tani nuk është ndriçuar në tërësi kjo çështje penale, mirëpo ju njoftojmë se Prokuroria është duke e trajtuar me seriozitetin më të lartë këtë rast”, thuhet në njoftim.

Bedri Rexhepi është raportuar i zhdukur që nga data 8 prill dhe deri tani nuk ka asnjë informatë lidhur me të.