Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se të martën do të mbajë konferencë për media, lidhur me rastin e zhdukjes së biznesmenit Bedri Rexhepi.
Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, i tha KOHËS se konferenca do të nisë në orën 10:30 në objektin e Prokurorisë, derisa do të prezantojë të gjeturat prokurori i rastit.
Rexhepi u raportua i zhdukur që nga 8 prilli 2021. Më 30 shtatorin e sivjetmë, janë gjetur mbetje mortore në Novobërdë, që dyshohet se janë të biznesmenit kosovar.
“Gjatë ditës së sotme, prokurori i rastit së bashku me njësitë policore përgjegjëse, Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), kanë dalë në një zonë kodrinore-malore të Novobërdës dhe gjatë verifikimit të terrenit është arritur të identifikohet një lokacion i dyshimtë me të cilën pas gjurmimit nga njësitë përgjegjëse janë gjetur mbetje mortore (të dekompozuara), të cilat dyshohen se kanë të bëjnë me rastin e “Rrëmbimit”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.