Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë kundër Jeton e Nexhat Vllasaliut, si të akuzuar për vrasjen e rëndë dhe për dëmtimin e kufomës së biznesmenit Bedri Rexhepi.
Afaristi Rexhepi ishte raportuar i zhdukur që nga 8 prilli i vitit 2021.
Prokurori i rastit, Armend Hamiti, nëpërmjet një konference për media, ka njoftuar se trupi i viktimës është gjetur më 30 shtator dhe se identifikimi i tij është konfirmuar me anë të ekzaminimeve antropologjike.
Ai ka bërë të ditur se motivi i vrasjes ka qenë përfitimi financiar nga i ndjeri Rexhepi.
“Motivi i kryerjes së këtyre veprave penale, për fat të keq është i ulët, pasi sipas hetimit tonë, i cili ka zgjatur rreth 18 muaj, rezulton se vrasja ka ndodhur për shkak të përfitimit material, gjegjësisht shuma 30.000 euro, të cilat të akuzuarit kanë besuar se tani i ndjeri Bedri Rexhepi i posedon, për të cilin kanë bërë plan dhe e kanë ekzekutuar”, tha prokurori Hamiti.
Prokurori Hamiti ka bërë të ditur se të dy të akuzuarit tani janë në paraburgim dhe se njëri prej tyre - Jeton Vllasaliu - e ka pranuar fajësinë.
Lëvizjet e të akuzuarve, sipas Hamitit, janë gjurmuar nëpërmjet ekzaminimit të telefonave të tyre me anë të antenave.
“Të mos harrojmë, gjatë kësaj kohe, veprimet hetimore, po i cek disa, kemi bërë ekzaminim të telefonit të të pandehurve për të siguruar prova e në atë funksion është bërë hartografia e lëvizjes së të pandehurve dhe viktimës përmes telefonit dhe antenave telefonike. Janë siguruar të gjitha kamerat ku ka pasur lëvizje të viktimës dhe të pandehurve në ditën kritike dhe në ditët në vijim”, tha Hamiti.
Vetura e afaristit Rexhepi ishte gjetur e braktisur në afërsi të fshatit Shushicë të Graçanicës gjatë muajit prill, përderisa trupi i tij, në malet e Komunës së Novobërdës, më 30 shtator.
Për ngritjen e aktakuzës që rëndon mbi dy të akuzuarit, në prokurori kanë njoftuar se janë përdorur edhe masa të fshehta të Policisë dhe të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, me autorizim nga gjykata. Në hetimin e rastit janë përfshirë njësitë e kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës ndërsa janë dëgjuar 29 dëshmitarë.
Në prokurori kanë njoftuar se janë duke u zhvilluar hetime edhe ndaj dy personave të tjerë, të cilëve nuk u janë zbardhur emrat dhe për të cilët nuk janë gjetur prova të mjaftueshme, në fazën e parë të hetimeve.