Gjykata Themelore në Prishtinë u ka shqiptuar dënim me burgim të përjetshëm dy të akuzuarve për vrasjen e Bedri Rexhepit. Jeton dhe Nexhat Vllasaliu u dënuan si për vrasje të rëndë ashtu edhe për dëmtim të varreve apo kufomave. Ata bënë përpjekje për ta fshehur krimin duke e zhdukur kufomën e të ndjerit, të cilën e çuan në malet e fshatit Vllasali të Novobërdës.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është shpallur vendimi për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi. Gjykata i ka dënuar të akuzuarit Jeton dhe Nexhat Vllasaliu me burgim të përjetshëm dhe konstatoi se ata janë përgjegjës edhe për vrasje të rëndë në bashkëkryerje edhe për veprën penale “Dëmtim i varreve apo kufomave”, që lidhet me zhdukjen e kufomës së të ndjerit.
Pas vendimit të gjykatës lidhur me këtë rast, lot të ndjenjës së çlirimit patën në sy familjarët e biznesmenit të ndjerë.
“Të akuzuarit Jeton Vllasaliu dhe Nexhat Vllasaliu janë fajtorë për shkak të veprave penale të kryera në bashkëkryerje dhe veprën penale “Vrasje e rëndë” e sanksionuar me nenin 173, paragrafi 1, pikat 1.6 dhe 1.4 të nenit 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe veprën penale “Dëmtim i varreve apo kufomave” e sanksionuar me nenin 413, paragrafi 2, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Andaj kjo gjykatë, në bazë të dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarit i gjykon me burgim të përjetshëm”, deklaroi kryetarja e trupit gjykues Medie Bytyqi, vendimi i së cilës u prit me duartrokitje.
Gjykatësja Bytyqi theksoi se pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor trupi gjykues gjatë këshillimit ka vlerësuar se nuk nevojitet që përsëri të hapet shqyrtimi gjyqësor për plotësimin e procedurës apo për sqarimin e ndonjë çështjeje konkrete.
Dy të akuzuarve iu vazhdohet masa e paraburgimit deri në potfuqishmërinë e aktgjykimit.
Kundër këtij aktgjykimi lejohet ankesa në Gjykatën e Apelit në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit.
Avokati i familjes së viktimës, Besnik Berisha, theksoi se dënimi është ai që e priste.
“Sot familja e dëmtuar mori së paku një satisfaksion moral për dënimin që iu shqiptua atyre që bënë gjithçka për ta mbuluar një krim. Sot drejtësia foli, sot plagët janë më të lehta, ndërkaq dënimi i shqiptuar është dënim i pritur”, ka deklaruar Avokati Besnik Berisha.
Ndërsa avokati i Nexhat Vllasaliut, Shemsedin Piraj pas, përfundimit të seancës gjyqësore deklaroi para gazetarëve se trupi gjykues për vendimin e marrë nuk i mori parasysh vërejtjet e palës mbrojtëse.
“Sa i përket klientit tim, Nexhat Vllasaliu, është një vendim i rëndë, burgim i përjetshëm. Gjatë shqyrtimit kryesor ne kemi cekur të gjitha të metat e aktakuzës, fatkeqësisht ato nuk janë përfillur, mirëpo ky nuk është vendim përfundimtar është i shkallës së parë dhe do të shohim në të ardhmen se si do të rrjedhin gjërat”, ka thënë avokati Piraj.
Katër të dëmtuarit në këtë rast gjykata i udhëzoi t’i realizonin të drejtat e tyre përmes kontestit civil.
Sipas aktakuzës, në periudhën 9 janar 2021 – 8 prill 2021, vëllezërit Vllasaliu kishin planifikuar për ta vrarë Bedri Rexhepin me qëllim të përfitimit të pasurisë. Sipas saj, viktima ishte vënë në lajthitje nga vëllezërit Vllasaliu duke ofruar për shitje dy vetura në vlerë prej 30 mijë eurosh. Më 8 prill 2021, Rexhepi kishte shkuar në shtëpinë e njërit të pandehur. Aty, sipas aktakuzës, Jetoni duke e ngufatur e ka mbytur Rexhepin, duke menduar se e ka me vete shumën e të hollave prej 30 mijë eurosh, siç ishin pajtuar për shitjen e veturave. Mirëpo, sipas aktakuzës, te viktima ishin gjetur 8 mijë euro. Vëllezërit i kishin ndarë mjetet dhe më pas e kishin dërguar kufomën në katin e tretë të shtëpisë dhe kanë provuar t’i fshijnë provat duke e varrosur.
Në aktakuzë thuhej se veturën e të ndjerit Rexhepi, Nexhat Vllasaliu e ka dërguar në arat e fshatit Shushicë të Graçanicës duke u koordinuar vazhdimisht për këto veprime me të vëllain, Jetonin.
Pas më shumë se një viti që nga vrasja, mbetjet mortore të Rexhepit ishin gjetur më 30 shtator 2022 në vendin e quajtur Mali i Madh në Vllasali të Novobërdës.