Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Tentoi të ikte drejt Serbisë, kapet i kërkuari për vrasje në tentativë dhe vepra të tjera të rënda

arrestim

Foto: Ilustrim

Një person i shpallur në kërkim për disa vepra të rënda penale, përfshirë "vrasje në tentativë", është arrestuar në afërsi të vijës kufitare me Serbinë, pasi tentoi të arratisej duke vrapuar drejt territorit serb.

Sipas njoftimit policor, i arrestuari është identifikuar si Egzon Reshani, ndaj të cilit ishte lëshuar urdhërarrest aktiv për veprat penale "Vrasje në tentativë", "Fajde", "Privim i kundërligjshëm i lirisë" dhe "Detyrim".

Arrestimi u krye mbrëmjen së hënës pak pas orës 22:00, kur zyrtarët e Policisë Kufitare, gjatë patrullimit në zonën e fshatit Karaqevë e Poshtme, identifikuan një automjet që po hynte në territorin e Kosovës nga drejtimi i fshatit Breznicë në Serbi.

Automjeti u ndalua në fshatin Novosellë, ndërsa gjatë kontrollit pasagjeri tentoi t'u ikte zyrtarëve policorë duke vrapuar drejt vijës kufitare. 

“Zyrtarët policorë kanë reaguar menjëherë dhe, pas veprimeve profesionale, kanë arritur ta ndalojnë dhe arrestojnë të njëjtin në afërsi të vijës kufitare, duke parandaluar largimin e tij nga territori i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim. 

Gjatë kontrollit, policia i gjeti dhe sekuestroi një thikë. 

Edhe Arrestohet në Kosovë një i kërkuar nga Gjermania për tentativë vrasjeje Kronikë Arrestohet në Kosovë një i kërkuar nga Gjermania për tentativë vrasjeje

Me udhëzim të prokurorit kompetent, ndaj tij është iniciuar edhe një rast për veprën penale "Armëmbajtje pa leje".

Pas përfundimit të procedurave nga Policia Kufitare, i dyshuari iu dorëzua njësive kompetente për procedurat e mëtejshme lidhur me urdhërarrestin dhe veprat penale për të cilat kërkohej.