Kronikë

Të shtëna “festive” në Prizren - Sekuestrohen armë e municion dhe ndalohen tre persona

Arme zjarri

Policia e Kosovës ka njoftuar se në natën e Vitit të Ri në Prizren, pesë raste janë raportuar për të shtëna me armë zjarri e tre nga to si të shtëna “festive”. Po ashtu u bë e ditur se disa persona janë arrestuar, janë sekuestruar armë e municion dhe tre prej të arrestuarve janë ndaluar për 48 orë.

“Festimet e ndërrimit të viteve në rajonin e Prizrenit kanë kaluar kryesisht pa incidente madhore dhe me atmosferë festive. Megjithatë, jo të gjithë qytetarët kanë festuar në mënyrë të ligjshme. Së paku në pesë raste është raportuar për të shtëna me armë zjarri, tre nga ato janë raportuar për të shtëna festive. Gjatë kësaj periudhe, Policia ka sekuestruar: Katër armë zjarrit dhe një sasi të municionit. Disa persona janë arrestuar, ndërsa tre prej tyre janë ndaluar për 48 orë. Lidhur me rastet e evidentuara, ndaj të gjithë personave të përfshirë është iniciuar procedura penale dhe do të ngrihen kallëzime penale”, thuhet në raportin e policisë.

Policia e Kosovës ka rikujtuar mesazhin: Festo me zemër, jo me armë.