Kronikë

Arrestohen tre të dyshuarit për grabitjen e 40 eurove në Prizren

arrestim - pranga

Foto ilustrim

Tre persona janë arrestuar në Prizren nën dyshimin për grabitje të armatosur, ndërsa një i katërt është shpallur në kërkim. 

Aksioni policor është realizuar pas një hetimi intensiv që pasoi denoncimin e bërë nga dy viktima në orët e para të mëngjesit të 3 shkurtit.

Sipas njoftimit të Policisë, rreth orës 01:10, dy viktima – një mashkull dhe një femër – kanë raportuar se janë sulmuar nga tre persona të maskuar, të cilët nën kërcënimin e thikës dhe pistoletave u kanë marrë një shumë parash që kishin me vete.

Menjëherë pas raportimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, kanë intervistuar viktimat dhe, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, kanë nisur procedurat hetimore, ku më pas janë identifikuar katër persona të dyshuar për përfshirje në rast.

I dyshuari i parë është arrestuar pranë një lokali në Prizren, ku gjatë kontrollit i është gjetur një armë. Po ashtu, në automjetin e tij janë sekuestruar një armë tjetër, dy maska, doreza dhe veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjes. 

Me mbështetjen e njësive të tjera policore, janë arrestuar edhe dy të dyshuar të tjerë në një lokacion tjetër të qytetit.

Me urdhër të Prokurores së rastit, Policia ka realizuar bastisje në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit dhe në një lokal, ku janë gjetur prova shtesë materiale që ndërlidhen me veprën penale.

Dy nga të dyshuarit, në prani të avokatëve mbrojtës, kanë pranuar kryerjen e veprës. 

Me urdhër të prokurorit kujdestar, të dyshuarit K.K. 20 vjeç, Sh.G. 20 vjeç dhe L.G. 36 vjeç janë ndaluar për 48 orë. 

Ndërkohë, i dyshuari i katërt, V.S., ndodhet në arrati.