Gjykata Themelore në Gjakovë e ka shpallur fajtor K.P. për kryerjen e veprës “rrezikim i trafikut publik” dhe e ka dënuar me shtatë vjet burgim. Rasti pati ndodhur më 2022 kur i pandehuri pati shkaktuar aksident në rrugë duke lënë të vdekur dy persona.
Përveç dënimit me burg, atij i është shqiptuar edhe dënim plotësues marrje e lejes së vozitjes, duke ia ndaluar drejtimin e automjetit në kohëzgjatje prej tri vjet.
“I pandehurit K. P., është gjetur fajtor sepse me datë 30.06.2022 rreth orës 12:05 minuta në lagjen Dardania në Gjakovë, nga pakujdesia rrezikon trafikun publik edhe pse ka qenë i vetëdijshëm se me një veprim të tillë të do vjen deri te pasoja e ndaluar, lehtas e ka marrë se gjerë tek ajo nuk do të vjen apo në momentin e duhur do t’i shmanget dhe me këtë i’u shkakton vdekjen tani të ndjerëve M. S. dhe S. G.”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
I pandehuri kishte bërë kthim të pasigurt nga ana e djathtë në të majtë, duke ia marrë përparësinë e lëvizjes automjetit tjetër që ishte autoambulancë e QKMF-së, e cila vinte nga drejtimi i Pejës për në Gjakovë me drita vezulluese dhe alarmin sinjalizues. Në pamundësi që t’i shmanget aksidentit, ambulanca me pjesën e parë e kishte goditur veturën e të pandehurit, me ç ‘rast vetura e të pandehurit gjatë rrokullisjes e kishte goditur një veturë tjetër, teksa autoambulanca pati devijuar jashtë rrugës duke e goditur edhe një veturë.
Tre persona në autoambulancë të tjerë patën pësuar lëndime.