Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

​SHKK-ja konfirmon vdekjen e një të burgosuri në Dubravë

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka konfirmuar se sonte rreth orës 19:20, në Spitalin rajonal të Pejës, ka ndërruar jetë i burgosuri A.V.

Në një komunikatë për media thuhet se A.V. në orën 17.00 është vizituar nga mjeku me shenja të vjelljes dhe nauzës.

Sipas njoftimit, pas ekzaminimit mjeku e ka trajtuar me terapi dhe kap përcjellur gjendjen e tij, teksa rreth orës 18.20, gjendja i është përkeqësuar dhe gjatë riekzaminimit me EKG janë vërejtur ndryshime në elektrokardiogram dhe në shenja klinike.

“Menjëherë fillon ndihma adekuate profesionale me oksigjeno-terapi dhe me reanimim kardiopulmonar, me autoambulancë, nën përcjelljen e mjekut dhe infermierit i burgosuri dërgohet në SP në Pejë. Edhe aty nga kardiologu kujdestar vazhdon reanimimi, por pa sukses, i burgosuri nuk arrin të mbijetojë. Në orën 19.20 nga kardiologu konstatohet vdekja. I njëjti gjatë qëndrimin në burg, në mënyrë periodike është kontrol luar dhe i janë bërë vizitat sistematike të cilat çdo herë kanë qenë në normë. Në pranim e edhe gjatë burgimit PA ka qenë 120/80 mmHg”, thuhet në njoftim.

SHKK thotë se gjatë kësaj periudhe, viktima ka pasur disa probleme të vogla shëndetësore, si dhembje në regjionin e veshkave, të cilat janë trajtuar nga urologu; dhembje në regjionin e shpinës, e cila është ekzaminuar me RTG dhe është trajtuar nga ortopedi, probleme me dhëmb të cilat janë trajtuar nga dentisti, ulcerë e cila është trajtuar nga kirurgu dhe më 30.11.2018 si pasojë e një rrëshqitjeje në dhomë ka pasur një përdredhje të nyjës së poshtme të këmbës, e cila është trajtuar nga ortopedi.

“I njëjti ishte i dënuar për veprën penale vjedhje e rëndë dhe po e mbante dënimin në pavijonin me tretman të avancuar. Nga organet kompetente janë duke u zhvilluar procedurat ligjore, ndërsa autopsia do të verifikojë shkakun e vdekjes”, përfundon komunikata