Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Rasti “Ukë Rugova 2”, dëshmitari thotë se ka paguar rreth 3-4 mijë euro për vizë italiane

Në gjykimin ndaj 15 të akuzuarve për mashtrim me viza, i njohur si rasti “Ukë Rugova II”, dëshmitari Hysen Statovci ka thënë se për vizë italiane për djalin e tij ka paguar diku 3 mijë e 500 ose 4 mijë e 500 euro.

15 të akuzuarit në këtë rast, ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 6 prill 2022.

“E di që në polici e kam përmendur një shifër që mund të jetë 3 mijë e 500 ose 4 mijë e 500 euro”, ka thënë dëshmitari Statovci duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Florije Shamolli.

Por personin të cilit ia kishte dhënë këto para, ai tha se nuk e njeh.

“Ja kam dhënë një personit të cilin nuk e njoh. Mos gabofsha u kon te ky kryqi i Lipjanit, në një kafe aty, kur ja kam dhënë paret kam qenë vet”, deklaroi dëshmitari Statovci, raporton Betimi për Drejtësi.

Edhe 15 të akuzuarit në rastin “Ukë Rugova II” lirohen nga akuza për krim të organizuar Kronikë 15 të akuzuarit në rastin “Ukë Rugova II” lirohen nga akuza për krim të organizuar

E këto para, ai tha se atij personit ia ka dorëzuar pasi që ia ka sjellë vizën.

Tutje, dëshmitari Statovci ka thanë se pastaj djali i tij me të njëjtën vizë ka shkuar në Itali.

Gjithashtu në këtë seancë, janë dëgjuar edhe dëshmitarët Valentina Palacaj dhe Safet Vllaqi.

Dëshmitarja Palacaj deklaroi se në vitin 2013-2014 ka qenë e interesuar për një vizë italiane dhe në lidhje me këtë vizë e njëjta kishte rënë në kontakt me një person me emrin Shaqë përmes bashkëshortit të saj.

“Unë burrin e kam pas në Zvicër, përmes burrit dhe një shokut të tij jam takuar me atë person për të cilin ma kanë dërguar numrin e tij”, tha ajo.

E njëjta ka thënë se me atë person ishte takuar një herë në Prizren të cilit edhe ia kishte dorëzuar pasaportën e cila sipas saj nuk i ishte kthyer kurrë më.

“Më ka premtuar se brenda një muaji në janar ka me të dalë viza edhe nuk është false, kom prit por nuk ma kanë kthyer me kurrë pasaportën”, tha dëshmitarja Palacaj.

Sipas saj, marrëveshja për këtë vizë ka qenë 7 mijë euro, por këtë shumë të parave ajo tha se nuk e ka dhënë.

Ajo nuk arriti që ta identifikojë personin në fjalë pasi që asaj ia lejoji gjykata që t’i shikonte të akuzuarit në sallë.

Palacaj po ashtu tha se ndihet e dëmtuar nga ky proces pasi që një kohë të gjatë nuk kishte mundur të pajiset me pasaportë.

“Unë asnjëherë nuk kam dal jashtë shtetit por sa herë i kam dhënë gishtat dilte tjetër femër, tash qe 2 muaj e kam marr një pasaportë të re, e kam pas ndalesë me marrë pasaportë”, deklaroi ajo.

Sipas saj ajo pasaportë është përdorur nga pesë femra tjera.

Edhe Ukë Rugova e të tjerët, të pafajshëm për rastin “vizat italiane” LAJMET E MBRËMJES Ukë Rugova e të tjerët, të pafajshëm për rastin “vizat italiane”

Edhe pse ajo fillimisht deklaroi se ndihet e dëmtuar nga ky proces, ajo nuk parashtroi kërkesë pasurore juridike.

Kurse dëshmitari Vallqi gjatë deklarimit të tij ka thënë se kishte qenë i interesuar për një vizë italiane dhe për të cilën ai tha se fillimisht kishte provuar në ambasadë.

“Kam qenë i interesuar për tu pajisur me vizë italiane të cilën e kam provuar përmes ambasadës, unë kam dashtë me aplikuar po tani nuk u bë të aplikojë, se tani më thirrën policia”, tha Vallqi.

Por ai tha se nuk kishte arritur te pajiset me vizë dhe pas një kohe pasaportën ia kishte kthyer policia.

“Unë nuk e di ku e kanë marr policia pasaportën as nuk më kanë treguar ku e kanë marrë, unë e kam filluar procedurën për një vizë, dhe pas një kohe m ‘kanë thirr policia edhe ma kanë kthyer pasaportën”, tha ai.

E i pyetur nga anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismaili se kujt ia kishte dhënë fillimisht pasaportën të cilën pastaj e kishte kthyer policia, ai tha se nuk i kujtohet kujt sepse ka kaluar një kohë e gjatë.

Ai tha se nuk i kujtohej nëse në polici kishte deklaruar se në lidhje me vizën italiane ishte takuar me një person me emrin A. Z. dhe se do të paguante shumën prej 3 mijë euro.

“S’e di se qe 10 vjet i ka kjo punë, se maj men çka kom fol para 10 vjetësh”, tha ai, duke shtuar se nuk kishte arritur të pajisej me vizë italiane.

Seanca e radhës për këtë rast do të vazhdoj më 16 qershor 2023, ku pritet që gjykata të vendos në lidhje me disa dëshmitarë tjerë.

Ndryshe, ky rast gjykohej nga misioni i EULEX-it, por pas përfundimit të mandatit, lënda ishte transferuar të vendorët.

Ky rast është ndarë në dy pjesë, pasi siç kishte thënë gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, një gjë e tillë është bërë në mënyrë që gjykim të jetë më efikas.

Edhe Prokuroria tërhiqet nga ndjekja e një prej pesë të akuzuarve në rastin e vizave italiane Kronikë Prokuroria tërhiqet nga ndjekja e një prej pesë të akuzuarve në rastin e vizave italiane

Në mars të këtij viti në procesin gjyqësor të njohur si “visat italiane” ish-deputet dhe i biri i presidentit Ibrahim Rugova, Ukë Rugova, ish-ministër i Kulturës, Astrit Haraqija, ish-punonjës i Ambasadës italiane në Kosovë, Florjan Petani, dhe Izet Beqiri e Qefser Baholli janë liruar nga akuza për krim të organizuar ndërlidhur me shitjen e vizave italiane. Rugova dhe të akuzuarit Izet Beqiri e Qefser Baholli janë dënuar me gjoba lidhur me armëmbajtje pa leje. Ndërkaq ish-ministri i Kulturës, Haraqija, bashkë me Petanin janë liruar nga të gjitha akuzat.