Disa persona janë arrestuar e disa të tjerë kanë shkuar në procedurë të rregullt për shkak të mosveprimit sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë.
Sipas raportit nga Policia, në të gjitha rastet, qytetarët kanë hapur lokalet e tyre edhe pse një gjë e tillë është në kundërshtim me masat e Qeverisë për mbrojtje nga koronavirusi.
Policia njofton se në Gjilan është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i cili si menaxher i një restoranti nuk kishte respektuar vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me virusin Covid-19, ku brenda në atë restorant njësiti policor kishte hasur në 13 persona si klientë dhe 4 femra punëtore të lokalit, raporton KOHA.
“I dyshuari kishte refuzuar ta mbyllë lokalin dhe kishte sulmuar një zyrtar policor i cili si pasoj e sulmit ka pranuar tretman mjekësor. Me urdhër të prokurorit pas intervistimit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq në Podujevë, Policia ka mbyllur dy lokale të cilat punonin dhe rastet kanë mbetur në procedurë të rregullt.
Për hapjen e lokaleve në Prizren, një person është arrestuar kurse dy raste të tjera kanë shkuar me procedurë të rregullt.
Për të njëjtën vepër, në raste të ndara janë arrestuar tre persona në Istog dhe dy persona në Pejë, një është arrestuar edhe në Gjakovë, kurse dy persona janë liruar në procedurë të rregullt në Malishevë.
Ndërkaq një rast i tillë është shënuar edhe në Mitrovicë.