Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Policia gjen sërish armë e municion në një shtëpi të braktisur në Leposaviq

Arme ne Leposaviq

Policia e Kosovës ka njoftuar se kanë gjetur sot armë dhe municion në një shtëpi të braktisur në fshatin Jashanicë të Komunë së Leposaviqit.

Armatimin, policia thotë se e gjeti pasi paraprakisht pranoi një informacion se mund të gjendeshin armë në atë lokacion.

Armët e gjetura përfshijnë 128 fishekë të kalibrave të ndryshëm, një pistoletë e një armë të llojit ‘kallash’.

“Policia e Kosovës, gjatë kryerjes së detyrave të rregullta policore në rajonin e Veriut, ka pranuar informacion se në një shtëpi të braktisur në fshatin Jashanicë, komuna e Leposaviqit, mund të gjendeshin armë. Pas pranimit të informatës, njësitë relevante policore kanë dalë në lokacion dhe gjatë kontrollit kanë gjetur dhe sekuestruar: 1(një) pushkë karabin e tipit M48; 1(një) armë AK-47; 1 (një) pushk gjuetie; 1 armë(pistoletë) CZ me dy karikator të zbrazët; 128 fishekë të kalibrave të ndryshëm”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Rasti është inicuar si “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” por nuk ka të arrestuar.

Janë bërë disa herë që Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar armatim në shtëpi të braktisura në veri të vendit, pas informacioneve nga qytetarët të cilët i ka ftuar për bashkëpunim të mëtutjeshëm.