Policia e Kosovës ka njoftuar se ka gjetur sërish armë në një shtëpi të braktisur në veri të vendit. Sipas njoftimit të policisë, pas pranimit të informacionit nga disa qytetarë se në fshatin Rudar i Vogël, Komuna e Zveçanit, mund të gjendeshin armë, njësite të policisë kanë dalë në terren dhe kanë gjetur: nëntë granata dore, 538 fishekë dhe tre karikatorë për armë automatike.
“Më datë 25.01.2026, rreth orës 11:20, njësitë policore nga Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri, pas pranimit të informacionit nga qytetarët se në një lokacion në fshatin Rudar i Vogël, komuna e Zveçanit, mund të gjendeshin armë dhe municion, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes. Në një shtëpi të braktisur dhe të pabanuar, gjatë kontrollit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar: 9 granata dore, 538 fishekë dhe 3 karikatorë për armë automatike”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Tutje sipas njoftimit është iniciuar rasti “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” por nuk ka persona të arrestuar.
Gjatë ditës së djeshme, Policia e Kosovës ka gjetur armë, municion dhe eksploziv në rajonin verior, konkretisht në një shtëpi të braktisur në fshatin Jagnjenicë të komunës së Zubin-Potokut.
Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi një pushkë të tipit M48, 244 fishekë të kalibrave të ndryshëm, dy karikatorë të zbrazët si dhe një sasi eksplozivi.
Gjithashtu edhe të premten në disa shtëpi pa banorë në fshatin Llozno në Leposaviq, gjeti armë, fishekë e uniforma të Serbisë.
E diela ishte e treta ditë me radhë që Policia e Kosovës gjeti armatim në shtëpi të zbrazëta në veri të Kosovës.