Policia e Kosovës ka gjetur sërish armë, municion dhe eksploziv në rajonin verior, konkretisht në një shtëpi të braktisur në fshatin Jagnjenicë të komunës së Zubin-Potokut.
Sipas njoftimit, gjatë kryerjes së detyrave të rregullta policore, Policia të shtunën ka pranuar informacione se në një objekt të braktisur dyshohej se mund të gjendeshin armë, municion dhe lëndë shpërthyese. Menjëherë pas pranimit të informacionit, njësitë relevante policore kanë dalë në lokacionin e dyshuar dhe kanë kryer kontrollin e shtëpisë.
Gjatë kontrollit, policia ka gjetur dhe sekuestruar një pushkë të tipit M48, 244 fishekë të kalibrave të ndryshëm, dy karikatorë të zbrazët si dhe një sasi eksplozivi. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë për trajtimin e mjeteve shpërthyese (EOD), të cilat kanë tërhequr eksplozivin në mënyrë të sigurt, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të përcaktuar llojin e saktë të tij.
Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Lidhur me këtë rast nuk ka persona të arrestuar, ndërsa rasti mbetet nën hetime.

Më herët, një sasi e armatimit u gjet edhe në një shtëpi të braktisur në Zveçan.