Policia e Kosovës ka njoftuar se si rezultat i bashkëpunimit me qytetarët, janë gjetur e konfiskuar një sasi e konsiderueshme e armëve, municionit e mjeteve të tjera ilegale në dy objekte të pabanuara në Zubin-Potok.
Në rastin e parë, në fshatin Paruce, njësitë policore kanë kryer kontroll në një objekt te pabanuar (shtallë për ushqimin e bagëtive), ku kanë gjetur dhe konfiskuar: 141 fishekë te armës së gjatë, 21 fishekë te armës së gjatë me krehër, 2 fishekë të pushkës së gjuetisë, 4 granata dore, një tytë e pushkës së gjuetisë, 48 gëzhoja të pushkës së gjuetisë, 1 pajisje për mbushjen e fishekëve, 4 kuti me barot, sfera për mbushjen e fishekëve të gjuetisë, kapcolla dhe tampon për fishekë, 1 gaz maskë ushtarake dhe një bajonet ushtarake.
Në rastin e dytë siç ka njoftuar Policia e Kosovës, kontrolli është kryer po ashtu në një objekt të pabanuar në fshatin Raniq, ku janë gjetur e konfiskuar: 1 armë e shkurtë (pistoletë), 4 granata dore dhe 2056 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Deri më tani për këtë rast nuk ka persona të arrestuar.
“Në vendin e ngjarjes, kanë dalë edhe njësitë për trajtimin e mjeteve eksplozive (IEOD), të cilat kanë tërhequr mjetet eksplozive në mënyrë të kontrolluar. Të gjitha veprimet policore i janë paraqitur Prokurorit te Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rasteve për veprën penale: ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”, thuhet në njoftim.
-
Gjenden municion, armë e pajisje ushtarake në tri shtëpi të pabanuara në Zubin-Potok
-
Konfiskohet municion dhe pajisje ushtarake në një shtëpi të pabanuar në Zubin-Potok
-
Policia gjen armë e municion në tri lokacione në veri
-
Sekuestrohen armë, municion e uniformë ushtarake në Zubin-Potok
-
Sekuestrohet sërish armatim në një shtëpi të pabanuar në Zubin-Potok