Kronikë

Pesë raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve në Kosovë

Dhunë në familje

FOTO: Ilustrim

Vetëm në 24 orët e fundit, pesë raste të dhunës në familje u raportuan në komuna të ndryshme të Kosovës.

Në mesnatën e së martës, në Fushë Kosovë u arrestua një i dyshuar shtetas i huaj, nën dyshimin se i shkaktoi lëndime viktimës femër dhe u largua nga vendi i ngjarjes.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i huaj, nën dyshimin se i njëjti pas një mosmarrëveshje ka sulmuar viktimën femër kosovare të cilës i ka shkaktuar lëndime dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Një rast i ngjashëm, por në Prishtinë, u raportua po ashtu mbrëmjen e së martës.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje dyshohet se e ka sulmuar viktimën femër kosovare. I dyshuari, pas intervistimit, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.”, thuhet në njoftim.

Në Prishtinë, dhunën e raportoi edhe një viktimë mashkull nga një grua.

“Me 02.09.2025 viktima mashkull kosovar ka raportuar se me datën e lartcekur e dyshuara femër kosovare ka ushtruar dhunë ndaj tij. E  dyshuara është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e policisë.

Një rast i ngjashëm u raportua edhe në Skënderaj. Viktima thotë se e dyshuara vazhdimisht ushtron dhunë fizike e psikike.

“Ankuesi mashkull kosovar me 02.09.2025 ka raportuar se e dyshuara femër kosovare vazhdimisht ushtron dhunë psikike dhe fizike ndaj tij. Palët janë intervistuar dhe pastaj në konsultim me prokurorin janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

Dhunë në familje në 24 orët e fundit u raportua edhe në Gjakovë. Një grua, raportoi se u kanos verbalisht nga një burrë.

“Viktima femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është kanosur verbalisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Lidhur me rastin është konsultuar prokurori dhe po hetohet nga ekipet relevante policore”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.