Kronikë

Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit të tretë për grabitjen në Shtime

Foto: Koha

Gjykata Themelore në Ferizaj - Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit A.T., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “grabitje”.

Sipas njoftimit të Gjykatës, i pandehuri dyshohet se më 7 gusht 2019, në Shtime, duke vepruar si anëtar i grupit së bashku me A.T.1, A.M dhe F.G.,me qëllim të përvetësimit të pasurisë së luajtshme të personit tjetër, e që vetes t’i sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm, kanë kryer grabitje në dëm të të dëmtuarit N.N.

“Fillimisht të pandehurit janë takuar në Prishtinë dhe me veturë kanë shkuar në drejtim të Shtimes dhe rrugës së tranzitit janë futur në fshatin Petroviç, ku aty kanë ndalë veturën dhe nga e njëjta kanë dal i pandehuri A.T., së bashku me tani të ndjerin F.G. dhe A. dhe A. kanë mbetur në veturë, ashtu që të njëjtit të armatosur janë futur në shtëpinë e të dëmtuarit dhe nga aty kanë marr shumën e të hollave prej 24.000 franga, ku në atë moment janë hetuar nga ana e familjarëve dhe gjatë përleshjes në terasen e shtëpisë, i dëmtuari N.N. mbetet i plagosur me armë zjarri dhe në atë gjendje së bashku me të dëmtuarin tjetër A.N., i ndjekin nga pas dhe pas diku 200-300 metra e kapin të pandehurin F. ku edhe aty përleshën me ç’rast në vendin e ngjarjes mbetet i vdekur F.G., ndërsa të pandehurit e tjerë me të dëgjuar krismat e armës dhe largohen me shpejtësi nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftim.

Sipas Gjykatës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të rënda, Ibrahim Idrizi, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarve e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitës së nenit 187 të KPPRK-së dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

Lexo edhe: Nga një muaj paraburgim për dy të dyshuarit për grabitjen në Shtime