Kronikë

Ndalohen dy shtetas shqiptarë në Mal të Zi, tentuan të transportonin 300 kilogramë drogë

Dy shtetas të Shqipërisë, babë e bir, janë ndaluar në Mal të Zi pasi me kamion kishin tentuar të transportonin 300 kilogramë kanabis.

Policia e Shqipërisë ka njoftuar se së bashku me autoritetet malaziase janë duke hetuar rastin.

Kamioni ishte ndaluar nga Dogana e Malit të Zi, ndërsa gjatë kontrollit janë gjetur afro 300 kilogramë kanabis sativa.

Është raportuar se droga ishte tentuar të transportohej në Austri.

“Gjatë natës, në doganën e Malit të Zi, si rezultat i inteligjencës policore dhe kontrollit të detajuar nga autoritetet doganore të Malit të Zi, është bllokuar një kamion tip “Renault”, i drejtuar nga shtetasi K. O. që shoqërohej nga babai i tij, shtetasi I. O., të dy banues në Durrës. Gjatë kontrollit në kamionin e ngarkuar me dërrasa dhe me paleta, që kishin destinacion Austrinë, autoritetet doganore të Malit të Zi, gjatë kontrollit të detajuar, kanë gjetur një sasi rreth 300 kg lëndë narkotike cannabis sativa. Policia shqiptare, në bashkëpunim me Prokurorinë, si dhe me autoritetet policore dhe ato doganore malazeze, po kryejnë veprime të përbashkëta hetimore, për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale”, thuhet nga Policia e Shqipërisë.