Kronikë

Kosovarja në Zvicër dënohet me 14 vjet burgim, tentoi ta vriste bashkëshortin me kabllo

Një kosovare 56-vjeçare në Zvicër është dënuar me 14 vjet burgim pasi kishte tentuar ta vriste bashkëshortin me kabllon e karikuesit të celularit, raporton “Blick”.

Gjykata Supreme në Zvicër ka hedhur poshtë apelin e nënës së katër fëmijëve dhe ka konfirmuar edhe dëbimin nga Zvicra për 12 vjet.

Gruaja me origjinë nga Kosova në prll të vitit 2018 e ftoi në shtëpi bashkëshortin e saj, që atëherë nuk jetonte në të njëjtën shtëpi. Ai po synonte të fillonte jetë të re me një të grua tjetër.

Sipas akuzës, gruaja kishte droguar bashkëshortin me anë të pijes. Kur në mëngjes e pa se ishte ende gjallë, tentoi ta mbyste me një kabllo të karikuesit të celularit.

Megjithatë, vajza e saj arriti ta tërhiqte nënën dhe ta ndalte, sipas vendimit të Gjykatës Federale që është publikuar të hënën.

Gjykata Supreme në Lozanë ka mbështetur vendimin e Gjykatës Themelore në Zuerich, se akti nuk duhet të cilësohet si tentim vrasje, por si vrasje. Gjykata kishte konstatuar se gruaja kishte vepruar me qëllim që ta vriste bashkëshortin.

Motiv thuhet se ishte “krenaria, pasi gruaja nuk po mund të duronte se i shoqi e la për një tjetër”.

Burri kishte njoftuar po ashtu se pasurinë do t’ia barte partneres së re.

Gjykata Supreme refuzoi kërkesën e të pandehurës për t’u kursyer nga dëbimi nga shteti.

Gruaja kishte tentuar ta padiste bashkëshortin për sulm seksual dhe përdhunim, por ato u hodhën poshtë.