Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Idriz Aliajt lidhur me vrasjen e rëndë në tentativë ndaj gruas me të cilën bashkëjetoi. Ai u dënua me dënim unik prej 11 vjet burgim. Po ashtu, akuzohej për armëmbajtje pa leje dhe mospërfillje të gjykatës
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar Idriz Aliajn me 11 vjet burgim, pasi është shpallur fajtor për tentativë vrasjen e rëndë ndaj gruas me të cilën kishte bashkëjetuar.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, i pandehuri Alija në gusht të 2024-tës, në Bresje të Fushë-Kosovës, për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake dhe raportimit të dy rasteve të tjera të dhunës në familje, ka tentuar të vriste viktimën Sh.T.
Sipas përshkrimit në aktakuzë, posa e dëmtuara me djalin e saj kanë kaluar vendkalimin për këmbësore, i pandehuri ka përshpejtuar hapat, ka nxjerrë armën nga brezi, e në mënyrë dinake nga afërsia ka shkrepur në trupin e të dëmtuarës, e më pas e ka goditur me duar në fytyrë duke e rrëzuar në tokë.
Kryetarja e trupit gjykues, Medije Bytyqi, ka thënë në seancën e së martës, se përveç veprës “vrasje e rëndë në tentativë”, Alija është dënuar edhe për dy vepra të tjera penale, për çka burgimi i është unifikuar në 11 vjet.
“Të akuzuarit i cakton për veprën penale ‘Vrasje e rëndë në tentativë’ dënim me kohëzgjatje prej 10 vjetësh, për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dënim me kohëzgjatje prej 1 viti, ndërsa për veprën penale ‘Mospërfillje e urdhrave të Gjykatës’, dënim prej 6 muaj. Për tri veprat penale i shqipton dënim unik, me kohëzgjatje prej 11 vjetësh”, ka thënë gjyqtarja Bytyqi.
Gjatë shpalljes së aktgjykimit, të pranishëm në Gjykatë nuk ishin i akuzuari, Idriz Alija, prokurori i shtetit dhe pala e dëmtuar.
Avokati i palës së dëmtuar, Fitim Gashi, ka thënë se gjatë ditëve në vazhdim do të vendosin nëse do të parashtrojnë ankesë në shkallë të dytë për vendimin e Themelores.
Edhe
11 vjet burgim burrit që tentoi vrasjen e gruas
“Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor dhe shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Themelore lidhur me rastin kundër të pandehurit Idriz Alijaj, i cili ngarkohej për tri vepra penale – Vrasje e rëndë në tentativë, Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës dhe Mospërfillja e gjykatës – me dënim unik prej 11 (njëmbëdhjetë) vjetësh burgim, mund të themi se ky vendim ka qenë i pritshëm për ne dhe për palën e dëmtuar. Megjithatë, sa i përket mundësisë së ushtrimit të ankesës në Gjykatën e Apelit, pas konsultimeve të mëtejme me të dëmtuarën, do të vlerësojmë nëse do të ushtrojmë ankesë apo jo”, ka thënë avokati Gashi.
Sipas aktakuzës, djali i së dëmtuarës kishte tentuar ta largonte sulmuesin, por ai kishte shtënë disa herë mbi trupin e saj dhe më pas e ka goditur me kondak të armës së zjarrit në kokë, derisa dy qytetarë kishin arritur t’ia largonin armën, e më pas Policia ta arrestonte.
I pandehuri akuzohej edhe se e kishte shkelur vendimin e Gjykatës, përmes të cilit e kishte të ndaluar t’i afrohej të dëmtuarës-bashkëjetuese të tij, 20 metra në vende publike dhe 100 metra nga vendqëndrimi i tyre aktual.
-
Katër vjet e gjysmë burgim për vrasjen në tentativë për shkak të një prone në Gjakovë
-
Mosmarrëveshja në Zvicër përfundon me therje në Ferizaj
-
Aktgjykimi: Dëshira e Naim Murselit për ta vrarë Liridona Ademajn ekzistonte prej kohësh
-
Vrasësit të bashkëshortes i ndryshohet vendimi, nga burgim i përjetshëm në 30 vjet