Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Kërkohet paraburgim ndaj dy të dyshuarve në Gjakovë për tentim vrasje

paraburgim

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë, ndaj dy të pandehurve D.K., dhe L.M., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Vrasje në tentativë”, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Prokuroria njofton se, më 09 mars 2022, në Gjakovë, i pandehuri D.K., me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin B.M. Ngjarja ka ndodhur në takimin që kishin afër kompanisë së të dëmtuarit, ku pas një mosmarrëveshje në lidhje me gruan e të pandehurit, i pandehuri me armë shtënë disa herë në drejtim të dëmtuarit B .M., ku si pasojë e lëndimeve i dëmtuari rrëzohet në tokë, më pas dërgohet në emergjencën e spitalit në Gjakovë, mirëpo për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore dërgohet në QKUK Prishtinë për trajtim mjekësor”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas njoftimit, i pandehuri D.K., pa autorizim, ka mbajtur armë dhe municion në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ku të njëjtat i janë konfiskuar nga ana e policisë.

"Ndërsa, i pandehuri L.M., me datë, kohë dhe vend të njëjtë, me dashje ka tentuar të privoje nga jeta, të dëmtuarin D.K. Ku i pandehuri këtu i dëmtuari D.K., tenton ta privoi nga jeta të dëmtuarin B.M., i pandehuri L.M., i cili ka qenë brenda në zyrën e kompanisë së të dëmtuarit B.M., pasi dëgjon të shtëna, del jashtë ku e vëren të dëmtuarin të rrëzuar në gjunjë, i pandehuri hyn brenda e merr armën, me të cilën shtënë në drejtim të dëmtuarit D.K., duke e qëlluar në këmbë, ku më pas largohen nga vendi i ngjarjes", vazhdon njoftimi.

Prokurori i rastit ndaj dy të pandehurve, ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh.