Kronikë

Kërkohet paraburgim ndaj 4 zyrtarëve në Kamenicë për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar paraburgim ndaj 4 personave që janë arrestuar me akuza për keqpërdorim të pozitës dhe mashtrim në prokurim publik.

A.K., P.J., I.Z. dhe F.D. aktualisht gjenden në masën e ndalimit 48 orësh.

Arrestohen katër persona në Kamenicë për keqpërdorim të detyrës zyrtare

“Ekziston dyshimi i bazuar se, me 20 Tetor 2020, i pandehuri A.K., me vetëdije ka shkelur rregullat e prokurimit publik gjatë ofertës për dhënien e kontratës së prokurimit publik me titull “Furnizim me dollap për shkolla’’ në komunën e Kamenicës, në atë mënyrë që nuk ka zbatuar detyrimet që dalin nga kontrata me përfitim për vete, duke i shkaktuar dëm buxhetit të komunës së Kamenicës në shumë prej 35.731.50 €. Me këto veprime dyshohet se i njëjti ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ndërsa, të pandehurit P.J., I.Z. dhe F.D., më 13 Nëntor 2020, kanë keqpërdor pozitën apo autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat e tyre, ashtu që nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, në atë mënyrë që pa u siguruar lidhur me sigurimin dhe pranimin e mallit kanë nënshkruar raportin e pranimit të mallit në tenderin e lartshënuar, ku pa e pranuar mallin në kundërshtim me ligjin i kanë transferuar mjetet prej 35.731.50 € operatorit ekonomik ARF SHPK - Fushë Kosovë. Në këtë mënyrë, të njëjtit në bashkëkryerje dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ të KPRK-së”, thuhet nga Prokuroria.