Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar të mërkurën masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 25.07.2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 24.08.2022, ndaj të pandehurve C.C., I.R., A.I., R.D., dhe Sh.A., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoriteti” dhe “falsifikimi i dokumentit zyrtar”.
Sipas vendimit të Gjykatës, të pandehurit si persona zyrtar duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalojnë kompetencat e tyre ose nuk i përmbushin detyrat zyrtare të tyre me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetrin apo që t’u shkaktojnë dëm personave tjerë. Ata vlerësohet se i shkaktuan mbi 13 mijë euro dëm buxhetit të Komunës.
“Nga fillimi i muajit dhjetor 2021 e deri me datë 25.07.2022, i pandehuri C.C., ish-Koordinator në Zyrën për Komunitet dhe Kthim në Komunën e Prizrenit, e pandehura I.R., Menaxhere e Zyrës për Komunitet dhe Kthime në Komunën e Prizrenit, i pandehuri A.I., Zyrtar për të drejtat dhe integrimin e komuniteteve në Komunën e Prizrenit, i pandehuri R.D., Zyrtar për të drejtat dhe integrimin e komuniteteve në Komunën e Prizrenit dhe i pandehuri Sh.A., Drejtor i Ndërmarrjes “B-A.” Sh.P.K, me seli në fshatin Zhur-Komuna e Prizrenit, bazuar në tenderin e shpallur nga Autoriteti Kontraktues – Komuna e Prizrenit, “Furnizimi me material ndërtimor për rindërtimin e shtëpive të familjeve skamnore dhe rasteve sociale të komuniteteve minoritare në Komunën e Prizrenit”, përfituesve për furnizim me material ndërtimor-të dëmtuarve B.R., A.K., L.U., etj, nuk ua dorëzojnë në tërësi materialin ndërtimor ashtu siç ka qenë e paraparë në bazë të tenderit, me ç ’rast buxhetit të Komunës së Prizrenit i është shkaktuar dëm material në shumë prej 13,283.00 Euro”, thuhet në vendimin e Themelores në Prizren.
Më pas, në dokumentin zyrtar të pandehurit shënojnë të dhëna të rreme, ose nuk i shënojnë të dhënat e duhura, apo me nënshkrimin e tyre ose me vulën zyrtare vërtetojnë dokumentin zyrtar, regjistrin apo shkresën zyrtare e cila përmban të dhëna të rreme, në atë mënyrë që në periudhën kohore të lartcekur, me rastin e dorëzimit të materialit ndërtimor për përfituesit B.D., A.K., B.R., dhe L.U., nënshkruajnë në emër të tyre, edhe pse në fakt përfituesit nuk e kanë pranuar në tërësi ose fare materialin ndërtimor, sipas Gjykatës.
-
Kërkohet paraburgim ndaj pesë zyrtarëve komunalë në Prizren
-
Ngrihen 18 parcela në Prizren, kërkohet paraburgim për të dyshuarin për keqpërdorim të pozitës
-
Aktakuzë për keqpërdorim detyre dhe mashtrim në prokurim publik në Prizren
-
Kërkohet paraburgim për zyrtaren komunale në Prizren për keqpërdorim të pozitës zyrtare
-
Aktakuzë ndaj shtatë zyrtarëve të Komunës së Prizrenit, dyshohet se mashtruan në një tender