Kronikë

Arrestohen katër persona në Kamenicë për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka zhvilluar hetime në Kamenicë dhe ka arrestuar katër persona.

Hetimi ka nisur lidhur me një tender furnizimi për shkolla në Kamenicë, ku të dyshuar ishin komisioni vlerësues i Komunës dhe pronari i një kompanie, të cilët dyshohej se kanë mashtruar me një procedurë tenderuese për një tender me vlerë prej mbi 35 mijë euro, ka njoftuar Policia e Kosovës.

“Gjatë hetimeve janë siguruar dëshmi relevante se komisioni prej tre anëtareve kanë nënshkruar raportin e pranimit të mallit, pa ardhur malli, duke dëmtuar buxhetin e komunës, e duke i mundësuar operatorit ekonomik përfitim të kundërligjshëm për shumën e lartcekur”, thuhet në komunikatë.

Me këto veprime të dyshuarit me iniciale (P.J., I.Z. dhe F.D), dyshohet se kanë kryer veprën penale ”Keqpërdorim i Pozitës apo autoritetit zyrtare”, ndërsa i dyshuari me iniciale (A.K.) pronar i kompanisë dyshohet se ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme në vlerë mbi 35 mijë euro, për tenderin në fjalë, “pasi që i njëjti nuk i është përmbajtur kontratës dhe deri tani nuk ka bërë furnizimin me mall”, me çka dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe Mashtrimi në Prokurim Publik”.

Policia në cilësinë e të dyshuarave ka intervistuar pronarin e kompanisë dhe tre anëtaret e komisionit të përmendur më lartë me iniciale, dhe pas përfundimit të intervistave katër të dyshuarit, me Aktvendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar për 48 orë për proceduar të mëtejme.