Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Katër raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit

Policia e Kosovës ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë raportuar katër raste të dhunës në familje. Viktimat kanë qenë të gjitha femra teksa Policia ka arrestuar tre burra.

Në një rast në Fushë-Kosovë, viktima ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti dhe vjehrra e saj.

“Fushë Kosovë, 12.01.2024-11:00. Viktima femër kosovare ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar dhe vjehrra e saj. Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari dhe me vendim të prokurorit kujdestar është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

Në dy raste të ndara në Prishtinë dhe në Pejë, viktimat kanë raportuar në Polici se pas mosmarrëveshjeve janë sulmuar fizikisht nga bashkëshortët. Në Prishtinë rasti ka vazhduar në procedurë të rregullt, ndërsa në Pejë i dyshuari është dërguar në mbajtje. Te rasti i Pejës, gruaja ka pranuar edhe trajtim mjekësor.

Në një rast tjetër, në Mitrovicë një burrë është arrestuari pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten dhe vajzën e tyre të mitur. Viktimat kanë pranuar trajtim mjekësor teksa i dyshuari me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje, sipas raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.