Kronikë

Katër ish-deputetë dënohen me nga 1 vit burgim me kusht për gazin lotsjellës në Kuvend

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-kryetarit të Prizrenit, Mytaher Haskukës, dy ish-deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Hotit, Shqipe Pantinës dhe ish-deputetes të Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiut, duke i dënuar secilin veç e veç me nga 1 vit burgim me kusht, për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Aktgjykimi në fjalë u shpall të mërkurën nga gjykatësi Adnan Kamberi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, Enver Hoti, dënohet me burgim prej 1 viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet, nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale në periudhën verifikuese prej 2 viteve.

Po ashtu, Haskuka, u dënua me burgim prej 1 viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet, nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale në periudhën verifikuese prej 2 viteve.

Tutje, Pantina u dënua me burgim prej 1 viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet, nëse e njëjta nuk kryen vepër tjetër penale në periudhën verifikuese prej 2 viteve.

Njësoj u dënua edhe Haxhiu, me burgim prej 1 viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet, nëse e njëjta nuk kryen vepër tjetër penale në periudhën verifikuese prej 2 viteve.

Obligohen që secili veç e veç të paguajnë paushallin gjyqësor në shumën për 50 euro, ndërsa nga 30 euro për kompensimin e viktimave të krimit, në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi.

Kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat 15 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit me shkrim.

Në këtë rast sipas aktakuzës i akuzuar është edhe Rexhep Selimi, mirëpo në seancën fillestare të mbajtur më 11 shkurt 2022, gjykata me qëllim të efikasitetit dhe ekonomizimit të procedurës penale në këtë seancë ka bërë veçimin e procedurës për të njëjtin.

Sipas akuzës të njëjtit akuzoheshin edhe për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, mirëpo sipas vendimit të datës 25 maj 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka hedhur poshtë akuzën dhe ka pushuar procedurën penale ndaj të akuzuarve për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, për shkak të arritjes së afatit të parashkrimit absolut të ndjekjes penale.

Akuza ndaj tyre ishte përpiluar në prill të vitit 2016. /BetimiPërDrejtësi