Një tragjedi e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës, më 4 shkurt, në qytetin Rughi pranë Porcarit, në provincën e Luccas në Itali, ku katër anëtarë të një familjeje me origjinë shqiptare kanë vdekur si pasojë e helmimit me monoksid karboni në banesën e tyre, shkruan “Tgcom24”.
Sipas autoriteteve italiane, viktimat dyshohet se janë prindërit – një burrë 48 vjeç dhe një grua 43 vjeç – si dhe dy fëmijët e tyre, të moshës 22 dhe 15 vjeç. Identitetet e viktimave ende nuk janë bërë publike.
Një person i pestë, pjesë e familjes, është nxjerrë i gjallë nga banesa dhe është dërguar në gjendje kritike në spitalin “Cisanello” në Pisa, por raportohet se nuk ndodhet në rrezik për jetën.
Alarmi është dhënë pas orës 20:00, kur një i afërm i familjes nuk ka arritur të kontaktojë me ta. Forcat e emergjencës, përfshirë autoambulanca, ekip mjekësor, karabinierë dhe zjarrfikës, kanë mbërritur në banesën e ndodhur në Via Galgani. Megjithë përpjekjet për shpëtim, katër personat janë gjetur pa shenja jete.
Gjatë ndërhyrjes, tre karabinierë që hynë në banesë pësuan simptoma të lehta helmimi dhe morën ndihmë mjekësore.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të rrjedhjes së gazit dhe kohën e vdekjes së viktimave.