Kronikë

Gjykata s’merr përgjigje nga policët për kamerat e sigurisë në “Bon Vivant”

Është duke u zhvilluar procesi i tretë gjyqësor për vrasjen e Rrahman Ukës, punëtor sigurimi në kafenenë “Bon Vivant” në Prishtinë. Në seancën e së premtes kanë dëshmuar dy policë, të cilët nga anëtarë të trupit gjykues janë pyetur nëse kanë qenë aktive kamerat e sigurisë në kafene, në momentin kritik të 13 tetorit të 2014-s, kur është vrarë Uka

Informatat që kanë dhënë policët e angazhuar në ditën kur është vrarë roja i kafenesë “Bon Vivant” në Prishtinë, i ka konsideruar të pamjaftueshme të premten trupi gjykues i këtij rasti. Prandaj, ka kërkuar informacione shtesë.

Anëtarja e trupit gjykues të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Shpresa Hyseni, e ka pyetur për kamerat e sigurisë njërin prej policëve të ftuar si dëshmitarë.

“Keni ndërmarrë disa veprime, e po më intereson kamerat a kanë funksionuar”, ka pyetur Hyseni.
Dëshmitari Adem Lutfiu ka thënë në gjykatë se mbështet raportin dhe deklarimet paraprake që i ka bërë dhe se nuk ka qenë punë e tij të merret me çështjen e kamerave.
“Jemi të ndara si institucione: hetuesia, forenzika të gjithë jemi të ndarë. Nuk e di për shkak se nuk jam me atë punë... Hetuesia, forenzika, njësitë relevante në kuadër të stacionit”, është përgjigjur Lutfiu.

Zyrtari tjetër i Policisë ka treguar se si e kishte përcjellë dhe e kishte arrestuar Masar Gërdovcin, njërin nga dy të dyshuarit.

Gjyqtarja Hyseni e ka pyetur atë nëse i ka bërë pyetje shtesë, pasi i dyshuari ia ka thënë fjalët “a ka vdekë bre”.
“A e pyete ti? Mirë, po unë do ta kisha pyetur, po të isha në vendin tënd prej kureshtjes se çka ndodhi. Pa e pyetur s’e kisha lënë”, ka thënë gjyqtarja gjatë komunikimit me dëshmitarin.

Dëshmitari Albert Zogjani është përgjigjur në këtë pyetje.
“Kur më ka pyetur ‘A ka vdekë bre?’ ishim ende jashtë Ministrisë së punës. Ishim në presion të rrugës për ta futur deri në objekt. Ishim shumë në presion për ta futur në një objekt që të kemi sigurinë më të madhe, tonën dhe të tijën. Njëherë për njëherë më interesonte të hyja diku që ta siguroja kokën time dhe të tijën”, ka thënë Zogjani.

Ngjashëm si dëshmitari Lutfiu, edhe Zogjani ka thënë se u qëndron deklaratave të dhëna më herët për këtë rast. Ata kanë thënë se nuk kanë çka të shtojnë përtej atyre që i kanë thënë në të kaluarën.

Më 13 tetor 2014, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, kanë shkuar në lokalin “Bon Vivant”, i cili gjendet në rrugën “Rexhep Luci”, në Prishtinë. Sipas aktakuzës, me të hyrë brenda në lokal, menaxheri i lokalit i pyet të pandehurit se a kishin rezervuar tavolinë, por ata e kishin mohuar dhe kishin vazhduar për t’u ulur në tarracë, në pjesën e pasme të lokalit.

Në aktakuzë thuhet se menaxheri i lokalit i kishte thënë tani të ndjerit Rrahman Uka, të merret me të pandehurit dhe t’i largojë nga lokali. Viktima ishte ofruar te tavolina ku ishin ulur ata. Sipas aktakuzës, sapo Uka largohet dhe hyn në sallën e lokalit, të pandehurit ngrihen nga tavolina dhe shkojnë në drejtim të tij dhe e sulmojnë me grushte.

Sipas aktakuzës, me qëllim që ta privojnë nga jeta, fillimisht Masar Gerdovci e kishte nxjerrë revolen nga çanta e tij dhe kishte shtënë në drejtim të punëtorit të sigurimit Rrahman Uka, i cili ishte përulur në atë moment për t’iu shmangur goditjeve. Uka me t’u ngritur në këmbë, ishte nisur në drejtim të tashmë të pandehurve që ndodheshin në drejtim të daljes nga lokali. Sipas prokurorisë, i pandehuri Sherif Krasniqi, me dashje që ta privojë nga jeta, merr revolen nga Masar Gërdovci dhe shkrep dy herë në drejtim të tani të ndjerit, me ç’rast e plagos në regjionin e gjoksit dhe si pasojë e gjakderdhjes masive nga plagët e marra, vdes në QKUK.

Rasti është duke u gjykuar për herën e tretë, shkaku i kthimit të lëndës në rigjykim. Seancat e radhës ku do të dëgjohen edhe dëshmitarë të tjerë, janë caktuar për datat 1 dhe 18 nëntor.