LAJMET E MBRËMJES

Vrasja në “Bon Vivant”: Një i vrarë, 6 të plagosur e 10 persona të lënduar

Një i vdekur dhe 16 të plagosur e të lënduar është bilanci i rastit tragjik që ndodhi të premten mbrëma në lokalin “Bon Vivant” në qendër të Prishtinës. Nga të shtënat me armë zjarri që ndodhën aty, të plagosurit e të lënduarit u dërguan menjëherë për trajtim në QKUK. Në këtë institucion thanë se gjendja e tyre është jashtë rrezikut. Ndërkaq Policia njoftoi se njëri prej të dyshuarve për rastin ndodhet në arrati. E burime të KOHËS bënë të ditur se ai është në kërkim edhe të FBI-së, për trafikim të lëndëve narkotike

Njolla të gjakut e gota dhe shishe të thyera janë gjurmët që i kanë lënë pas të shtënat e shkrepura nga armë zjarri në mbrëmjen e së premtes në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë, si pasojë e të cilave, një person ka mbetur i vrarë e 16 të tjerë të lënduar.

Në Polici bënë të ditur se dyshimi është që të shtënat e kanë pasuar një mosmarrëveshje midis disa të dyshuarve.

Pas rastit, të gjithë të plagosurit me armë zjarri dhe të lënduarit që morën plagë nga copëzat e xhamave të thyer, u dërguan për trajtim mjekësor në QKUK, teksa njëri prej tyre nuk u ka bërë ballë plagëve.

“Fatkeqësisht për shkak të lëndimeve të rënda që ka pësuar nga plagosja me armë zjarri, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve përkundër trajtimit kirurgjik, që i është bërë nga dy ekipe të kirurgëve dhe trajtimit në mjekim intensiv tek ne. Vdekja (është konstatuar) këtu, pas disa orëve që ka ardhur këtu, faktikisht në 6:45 në mëngjes”, ka thënë anesteziologia intensive, Agreta Gashi. 

Në Qendrën Emergjente bënë të ditur se të plagosurit dhe të lënduarit e tjerë ndodhen jashtë rrezikut për jetë.

“Mbrëmë, diku pas mesnatës janë pranuar 17 raste të lënduar në Qendrën Emergjente. Prej tyre 7 kanë qenë me armë zjarri, kurse 10 të tjerë kanë qenë të lënduar me mjete të mbrehte, si prerje me xhama. Prej këtyre 7-ve, dy janë trajtuar pas ekzaminimeve në Emergjencë, janë futur në sallë të operacionit dhe janë marrë ekipet kujdestare të Kirurgjisë Abdominale dhe Kirurgjisë Vaskulare dhe të Ortopedisë”, ka thënë drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla. 

Njëri nga personat që ka qenë i përfshirë në përleshjen e mbrëmshme me armë zjarri, sipas Policisë së Kosovës, ende ndodhet në arrati.

Burime të KOHËS bënë të ditur se personi në arrati kërkohet edhe nga FBI-ja për trafikim narkotikësh. Në fletë-kërkimin e FBI-së thuhet se ai për pesë vjet ishte i përfshirë në trafikimin e sasive të mëdha të marihuanës, nga Kanadaja për në New York.

E për katër të dyshuarve të tjerë për pjesëmarrje në përleshje, në Polici konfirmuan se janë duke marrë trajtim në QKUK.

“Katër të dyshuarit mbeten të hospitalizuar në QKUK dhe me vendim të prokurorit ndalohen (nën përkujdesje të policisë). Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësit relevante policore dhe njësia K-9, në vendngjarje janë gjetur katër gëzhoja dhe njolla gjaku”

Njëri prej të dyshuarve të hospitalizuar, sipas burimeve, është nën dyshim edhe për përfshirjen në një rast tjetër të demolimit të lokalit “Bon Vivant”, disa muaj më parë.

Më 2014, në këtë lokal pati mbetur i vdekur një punëtor i sigurimit, pasi ishte qëlluar me armë zjarri nga dy persona të cilëve dyshohet se ua kishte ndaluar hyrjen brenda.