Kronikë

Policia jep detaje se si rrodhi ngjarja që çoi në plagosjen e disa personave në “Bon Vivant”

Mbrëmjen e së premtes nga lokali “Bon Vivant” kanë dalë 17 persona të lënduar, disa prej të cilëve të plagosur me armë.

Policia ka thënë se ngjarja dyshohet se ndodhi pas një mosmarrëveshjeje mes disa të dyshuarve, ku më pas janë përdorur armë zjarri.

Të plagosur mbetën katër të dyshuarit, kurse si pasojë e thyerjeve të gotave e shisheve janë lënduar 17 persona, 14 prej të cilëve vajza.

Katër të dyshuarit janë duke u trajtuar në QKUK dhe po ashtu nën përkujdesje të PK-së.

Një i dyshuar tjetër gjendet në arrati.

“Dyshohet se pas një mosmarrëveshje në një lokal, në mes të disa të dyshuarve meshkuj kosovarë, janë përdorur edhe armë zjarri (të shtëna me armë zjarri), si pasojë e kësaj lëndime trupore kanë pësuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë (nga arma e zjarrit), ndërsa si pasojë e thyerjeve të gotave–shisheve të qelqit lëndime kanë pësuar 17 persona, prej tyre tre meshkuj dhe 14 femra. Katër të dyshuarit mbeten të hospitalizuar në QKUK dhe me vendim të prokurorit ndalohen (nën përkujdesje të policisë). Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësit relevante policore dhe njësia K-9, në vend-ngjarje janë gjetur katër gëzhoja dhe njolla gjaku”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Një i dyshuar mashkull gjendet ende në arrati.