LAJMET E MBRËMJES

Familjarët e viktimës kërkojnë dënim maksimal ndaj Gërdovcit e Krasniqit për vrasjen në “Bon Vivant”

Vrasja Bonvivant

Dënim maksimal për dy të akuzuarit kanë kërkuar familjarët e viktimës në rastin e vrasjes së vitit 2014 në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë, gjatë fjalës përfundimtare në seancën e mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Në këtë rast, Masar Gërdovci e Sherif Krasniqi akuzohen nga Prokuroria Themelore se në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta Rrahman Ukën, punëtor sigurimi i lokalit, teksa ngarkohen edhe për posedim e kontrollim të paautorizuar të armëve.

Fitim Uka, familjar i viktimës, ka kërkuar që Gjykata ta ndajë drejtësinë e merituar për rastin që po gjykohet që prej 2014-s.

“Gjykatë e nderuar, tash po bëhen tetë vjet e dy mua. Ne presim drejtësi prej jush. Tetë vjet traumë për familjen time. Presim nga Gjykata që të vendosë për dënimin e merituar, maksimumi i dënimit”, tha Uka.

Prokurori i rastit, Armend Hamiti, ka thënë se kryerja e veprës penale është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë, mbështetur edhe në dëshmitë e ekspertëve.

“Nga dëshmitari për balistikë, po ashtu, është sqaruar, përveç të tjerash, edhe për mbetjet, grimcat e barutit se si shkon kjo procedurë dhe i njëjti ka theksuar se në pjesën e përparme të armës me distancë prej 1 metri mund të deponohen mbetjet përreth, mbetjet e qitjes”, tha Hamiti.

Por qëndrimi është kundërshtuar nga avokatët e të akuzuarve.


“Ky s’ka pasur asnjë mjet në dorë e as i ndjeri nuk ka pasur asnjë mjet në dorë, këta fizikisht i kanë qëruar hesapet, jo sepse esencialisht duhet ndonjë rrethanë aq bindëse t’ia mundësojë shkrepjen e këtij me armë o t’i japë armë o të bëjë ndonjë veprim që me të vërtetë pa kontributin e tij nuk do të ishte shkaktuar vrasja”, tha Haxhi Millaku, avokat i Sherif Krasniqit.

“E kanë thënë që të gjithë dëshmitarët se Masar Gërdovci e ka tërhequr gishtin e këmbëzës, por arma nuk i ka shkrepur. Por Prokuroria thotë se atë e kapi Sherif Krasniqi dhe shkrepi e goditi dy herë të ndjerin. Prokuroria me çfarë u bazua në këtë? U bazua pikërisht në ekzaminimin e gjurmëve të barutit në duart e të akuzuarve”, tha Naim Rudari, avokat i Masar Gërdovcit.

Gjykimi lidhur me rastin është duke u zhvilluar për herë të tretë, shkaku i kthimit të tij në rigjykim. Shpallja e aktgjykimit është caktuar për 13 janar.